E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet shoqërore shkelën konkurrencën

Autoriteti i Konkurrencës i rekomandoi dje Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të anulojë një vendim që shkel rregulluat e konkurrencës përmes vendosjes së kufizimeve sasiore në tregun e shitjes së medikamenteve të rimbursueshme. ISKSH, e cila mbledh kontributet e të punësuarve për sigurimin shëndetësor dhe i përdor këto para për të paguar pjesërisht apo totalisht koston e barnave të të sëmurëve, miratoi në dhjetor një kontratë shembull në bazë të së cilës, farmacitë nuk lejoheshin të shisnin mallra të rimbursueshme me vlerë më të madhe se 1.5 milionë lekë (11 mijë euro) në muaj dhe deklaronte se një masë e tillë "do të vendosë konkurrencë të ndershme në treg". AK e hodhi poshtë pretendimin, duke thënë se një masë e tillë sjell të kundërtën, kufizimin sasior të konkurrencës, duke mos i lënë mundësi klientëve të zgjedhin farmacinë që dëshirojnë.

"Ky kufizim sasior në masën prej 1.500.000 lekësh në muaj, plus 2%, sjell një kufizim të detyrimeve specifike në kontratën e farmacive, pasi në rastet e plotësimit të limitit të caktuar, farmacia nuk do të ofrojë shërbimin e dhënies së barnave, duke kufizuar në këtë mënyrë zgjedhjen konsumatore", tha AK. ISKSH nuk ishte e disponueshme për komente. AK është përballur në shumë raste me vendime të institucioneve buxhetore që shkelin konkurrencën, ndërsa rekomandimet e saj shpesh nuk janë zbatuar. Ligji nuk e lejon AK të gjobisë përgjegjësit në rast se kufizimi i konkurrencës bëhet nga institucionet publike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›