OSSH i pret energjinë elektrike spitalit të Laçit
OSSH ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike të spitalit të qytetit të Laçit. Sipas drejtorit të spitalit, Lulash Aroni, dje në orën 13:00, OSSH-ja ka njoftuar ndërprerjen e energjisë elektrike. Ndërkohë që spitali e ka hedhur OSSH në gjyq, pasi sipas drejtorit Aroni, spitali është faturuar aforfe dhe për një muaj i kërkohet të paguajë 580 mijë lekë të reja. Sipas Aronit, për dy vjet, borxhi i kalon 10 milionë lekët, por realisht nuk është konsumuar kaq shumë energji. Për këtë arsye spitali i është drejtuar gjykatës. Për çështjen janë njoftuar edhe ministritë e Ekonomisë dhe Shëndetësisë. Sipas Lulash Aronit, “që prej dy vitesh ne kemi lajmëruar KESH-in dhe Drejtorinë e OSSHsë Tiranë, ministrin e Ekonomisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, ku kemi kundërshtuar pagesën aforfe, për shkak se ishte shume e lartë. Kemi pritur reagimin e këtyre institucioneve, por nuk kanë reaguar dhe faturat kanë vazhduar të vijnë gjithnjë të fryra. Para një muaji ne e kemi hedhur në gjyq OSSH-në, duke kundërshtuar pagesën aforfe që arriti në 10 milionë lekë të reja, sa katërfishi i buxhetit të spitalit”. Drejtori i spitalit tregon se pas padisë së bërë në gjykatë, OSSH nisi një aksion për prerjen e lidhjeve të paligjshme në linjën e spitalit. Gjykata urdhëroi OSSH-në që të vendosë matësin në spital për të parë edhe sasinë e energjisë që shpenzojmë. Por edhe pse ne e kemi kërkuar një gjë të tillë prej kohësh, edhe pse OSSH-ja ka vendosur prej katër vitesh matësin, ajo nuk vjen ta shikojë atë, por kontrollon matësin që ka vendosur vetë në nënstacion. “Unë nuk jam roje i linjave, por drejtori i spitalit. Përgjigjem për sasinë e energjisë që harxhohet në spital dhe nuk kam pranuar dhe as do të pranoj të paguaj fatura aforfe”, thotë Aroni, i cili tani duhet të menaxhojë pa energji elektrike spitalin ku ndodhen të shtruar 60 pacientë. Drejtues të spitalit thonë se për situatën është vënë në dijeni edhe Kryeministri Berisha.
#