Banorët: Na thoni, a jetohet më në Nënshkodër?!
Zgjerohet harta e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës. Në krahasim me një ditë më parë, sipërfaqja e tokës që ndodhet nën ujë është rritur me 220 hektarë, duke shkuar në një total prej 1420 hektarësh, ndërkohë që dhjetëra shtëpi raportohen të përmbytura dhe qindra të tjera janë me prezencë uji. Situata më problematike vazhdon të jetë në zonën e Obotit, Bërdicës, Dajçit, Bushatit dhe Velipojës, ku uji përveçse ka bllokuar rrugët, ka shkatërruar të mbjellat dhe ushqimin për bagëtitë. Dje pasdite, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në Shkodër ka qenë i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili e ka vlerësuar situatën jo alarmante dhe nën kontroll, falë edhe favorizimit të kushteve atmosferike, të cilat po ndikojnë në uljen e prurjeve dhe për pasojë dhe uljen e ritmeve të shkarkimit nga hidrocentralet. Më tej, ministri Basha ka qetësuar banorët, duke deklaruar se do të dëmshpërblehen për të gjitha dëmet që u janë shkaktuar. “Të gjithë banorët e dëmtuar nga përmbytja e tretë do të dëmshpërblehen për dëmin që u është bërë. Ashtu siç janë duke marrë sot dëmshpërblimin, do t’i marrin sërish. Shtabi i Emergjencës do të vazhdojë të monitorojë me shumë kujdes situatën dhe do t’u vihet në ndihmë banorëve për çdo nevojë që do të kenë. Strukturat shtetërore janë të gatshme për përballimin e çdo situate, por nga informacionet që kemi, situata është drejt normalizimit”. Ndërkohë, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës kryetarët e komunave të prekura nga përmbytja e tretë e këtij viti, kërkuan ndihmë për ujë të pijshëm dhe koncentrat për bagëtitë, si më emergjente për momentin. Në terren kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës forcat e ushtrisë dhe policisë, që qëndrojnë në gatishmëri për evakuimin e banorëve në rast nevoje.
Në mbledhjen e djeshme u konsiderua si problem serioz fakti që Drejtoria e Kullimit, në mungesë të fondeve dhe mjeteve e ka të pamundur ndërhyrjen në thellimin e kanaleve në të gjithë zonën e Nënshkodrës. Për këtë është kërkuar ndihmë nga drejtoritë e tjera të rretheve. Por ajo që bie në sy në përmbytjen e tretë është fakti se janë dëmtuar me mijëra hektarë tokë të sapombjella nga banorët e zonës së Nënshkodrës. Në një kohë kur ata mendonin se tashmë uji ishte larguar dhe nisën të mbjellin tokën, e gjithë Nënshkodra është mbuluar sërish me ujë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Banorët e zonës kërkojnë ndihmë nga shteti në përcaktimin e zonës si të banueshme dhe në rast të kundërt të bëhet shpërngulja e tyre. “Duam të dimë nga shteti a mund të kemi mundësi të jetojmë më në Nënshkodër apo të ikim. Nëse përmbytja e parë dhe e dytë ndodhën nga natyra, po për të tretën, kush e pati fajin? Si ka mundësi që me dy javë shi të përmbytet gjithë Nënshkodra? Por ajo që na intereson ne si fshatarë për momentin është që shteti të na dëmshpërblejë për përmbytjen e tretë, pasi uji na ka mbuluar gjithë të mbjellat. Pastaj institucionet duhet të marrin masa të ndërtojnë argjinaturat dhe të mos i mbajnë hidrocentralet plot me ujë, që më pas të detyrohen të hapin portat, pasi rrezikohen digat”, ka thënë për “Shqip” Lush Marku, banor i fshatit Obot. Pavarësisht se dje, në orët e pasdites, ka pasur një tendencë rënieje të nivelit të ujit, në Qarkun e Shkodrës, 1420 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë dhe mbi 100 shtëpi janë të përmbytura, mes tyre edhe disa banesa në lagjen periferike të qytetit të Shkodrës, Ajasëm, Bërdicë dhe Obot.
#