E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mëdhenjtë e pikturës, në Galerinë e Arteve

Ekspozita

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë është veshur me petkun e shkëlqimeve klasike dhe atmosferës së shekullit XX me disa prej përfaqësuesve më të mëdhenj të këtyre dy epokave të artit pamor. U çel dje në kuadër të stinës së aktiviteteve italo–shqiptare “Dy popuj, një det, një miqësi”, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane ekspozita me veprat e disa prej artistëve më të njohur të skenës ndërkombëtare të artit botëror. Veprat e ekspozuara vijnë nga koleksioni “Ca` La Ghironda”, i koleksionistit të njohur italian, mjekut Francesco Martani. Përzgjedhja e tyre është kryer nga GKA dhe qendra kulturore “Ca La Ghironda”. Ekspozita është e ndërtuar në dy seksione. I pari titullohet “Shkëlqime Klasike” dhe paraqet vepra të autorëve më të njohur italianë të shekullit XVI dhe XVII, ndër të cilët artistë si Francesco Raibolini, i njohur si Francia, Guido Reni, Annibale Caracci, Giovan Francesco Barbieri i njohur si Guercino etj. Pjesë e këtij seksioni është edhe një vepër nga artisti i famshëm flamand i shekullit XVII Anthony Van Dyck. Ky seksion është një përzgjedhje e kujdesshme e shkollave të ndryshme të qyteteve italiane, si ajo e Bolonjës, Romës, Venecias apo Napolit. Temat e trajtuara në këtë seksion janë: fetare, tema të antikitetit romak, si dhe peizazhi. Seksioni dytë vjen nën titullin “Atmosfera të shekullit XX”. Aty do të paraqiten pothuajse të gjitha kërkimet artistike gjatë shekullit të shkuar. Ky seksion përmban vepra nga artistët më të famshëm italianë dhe botërorë të shekullit XX, si Kazimir Malevich, Giorgo de Chirico, Giorgo Morandi, Rene Magritte, Piet Mondrian, March Chagall, Joan Miro, Pablo Picasso, Francis Bacon, Lucio Fontana, Andy Warhol, Jean Michel Basquiat etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 maj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›