OSSH lë pa ujë të pijshëm Elbasanin
BORXHET/ Prefekti Deliallisi shprehet se kanë negociuar për kthimin e energjisë për të furnizuar dy ujësjellësit
Edhe në Korçë konflikti mes bashkisë dhe OSSH-së ka lënë pa ndriçim të gjitha rrugët kryesore e dytësore në qytet
ELBASAN - Borxhi i akumuluar nga dy ujësjellësit ka bërë që OSSH Elbasan të reagojë nëpërmjet stakimit të energjisë elektrike për kompaninë "Elber" dhe Ndërmarrjen Ujësjellës-Fshat.
I gjithë qyteti i Elbasanit, duke përfshirë këtu qendrën spitalore, shkollat, të gjitha institucionet dhe konsumatorët familjarë, nuk janë furnizuar me ujë ditën e martë duke vënë kështu në alarm banorët.
E njëjta gjë ka ndodhur me fshatrat në Peqin, Cërrik, dhe të gjithë ujësjellësit që varen nga Ndërmarrja shtetërore Ujësjellës-fshat.
Kjo situatë e krijuar ka bërë që në mbrëmje prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, pasi ka kontaktuar me drejtues të OSSH-së, ka filluar negociatat bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Ujësjellësve, Taulant Zeneli, për të arritur në një marrëveshje që do të kthente edhe energjinë elektrike në stacionet e pompimit të ujësjellësve.
Po kështu, për situatën e krijuar është kërkuar ndërhyrja e ministrit Sokol Olldashi. Pas këtyre negociatave është arritur që me shlyerjen e ¼ së shumës nga kompania "Elber", OSSH-ja të kthejë energjinë duke kthyer ujin e pijshëm në të gjithë qytetin e Elbasanit.
Ndërkohë, duke qenë se Ndërmarrja e Ujësjellës-fshat është shtetërore dhe subvencionohet nga shteti, është arritur në një marrëveshje paraprake për kthimin e energjisë dhe shlyerjen e vazhdueshme të detyrimeve.
Nisur nga ky problem, prefekti ka organizuar një takim mbrëmjen e së mërkurës edhe me drejtorin e Përgjithshëm të OSSH-së, të blerë nga çekët. Aktualisht "Elber" ka bërë shlyerjen e 8 milionë lekëve, ndërsa i detyrohet OSSH-së edhe 20 milionë lekë. Ndërkohë, ndërmarrja Ujësjellës- Fshat i detyrohet rreth 25 milionë lekë.
Reagon "Elber": Vendimi, absurd
Vendimi është cilësuar si absurd nga drejtuesi i kompanisë "Elber". Atila Gjyladin e ka cilësuar si hitlerian hapin e ndërmarrë nga OSSH-së, pasi, sipas tij, ndërprerja e ujit në kohën e pandemisë së gripit të derrave është një absurd i vërtetë.
"OSSH-ja la pa ujë 120 mijë banorë të Elbasanit duke mos menduar për pasojat që shoqërohen në të tilla raste. Ne nuk kemi faj, pasi jemi një kompani si gjithë të tjerat që subvencionohemi nga shteti. Veç kësaj, dua të theksoj se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për ndërprerjen e furnizimit me ujë të ujësjellësve.
Ka mënyra të tjera se si mund të zgjidhen çështje të tilla, përfshi edhe procedimin penal në gjykatë. E ritheksoj se ndërprerja e ujit në kohë pandemie është metodë hitleriane. Pandemia e derrave përhapet thjesht nga mungesa e higjienës dhe papastërtisë".
Korçë, rrugët mbeten në errësirë
Përplasja Bashki-OSSH në Korçë, lë në errësirë qytetin.. Gjatë mbrëmjes së kaluar, të gjitha rrugët dhe bulevardet e Korçës nga qendra deri në ato dytësore janë përfshirë nga terri.
OSSH-ja në juglindje ka urdhëruar ndërprerjen e energjisë që ndriçon jo vetëm qendrën e qytetit, por dhe lagjet periferike të tij. Shkak i kësaj ndërprerjeje, e para e këtij lloji, ka ndodhur për arsye të faturave të papaguara të dy muajve të fundit nga ana e Bashkisë së Korçës.
Por duket se fill pas këtij veprimi ka reaguar institucioni i bashkisë, nëpërmjet numrit dy të saj, duke akuzuar drejtpërdrejt OSSH-në për fatura aforfe ndaj institucionit në fjalë, në një kohë kur shpenzimi real i energjisë është i llogaritur.
Gjatë së mërkurës, Sotiraq Filo, nënkryetar i bashkisë, i ka kërkuar në rrugë zyrtare OSSH-së të lejojë ndriçimin e rrugëve të qytetit, ndërsa përsa i përket faturave të muajit korrik dhe gusht, të cilat nuk janë shlyer ende, bashkia, sipas tij, do të ankohet në gjykatë.
"Është abuzuar me faturat energjisë elektrike në llogari të bashkisë së Korçës. Faturat janë aforfe dhe vlera e tyre e jashtëzakonshme nuk është e njëjtë me shpenzimin real që bën bashkia",- ka thënë ai. Por ndërkohë rrugët vijojnë të jenë të zhytura në errësirë.