Presin vagonin e trenit për ta vjedhur, zbulohen nga policia
DURRËS - Tentuan të vidhnin një vagon treni duke e prerë me oksigjen, por një prej tyre është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim.
Policia e Durrësit ka arrestuar pasditen e së martës Xhelal Karajn, pasi rreth orës 03:30 të po kësaj dite u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë me automjetin tip "kamion - vinç" me targë DR 2728 D, kur në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kishin arritur të prisnin me pajisje oksigjeni rreth ¼ e një vagoni mallrash, i cili ndodhej në lagjen nr.4, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhës.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, pas prerjes ata kishin arritur ta ngarkonin metalin në automjet dhe ishin larguar nga vendi për disa metra. Shërbimet e policisë kanë ndaluar dhe më pas shoqëruar vetëm shtetasin Xhelal Karaj, ndërsa dy personat shoqërues me të janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se pas kontrollit të ushtruar në banesën e të arrestuarit, aty janë gjetur e sekuestruar edhe materiale të tjera të vjedhura më parë. Ato shiteshin në një pikë tregu hekurishtesh po në Durrës. Nga hetimet e para rezulton se shtetasi Xhelal Karaj me dy bashkëpunëtorët e tij kanë kryer edhe vjedhje të tjera pranë hekurudhës, si akse të një vagoni, si dhe rrotat me një peshë 18 ton.