E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurori Saliaj: Nuk referoi ne Prokurori praktikat e punës

BERAT- Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat ka deklaruar marrjen nën hetim në gjendje të lirë të drejtorit të Shërbimit Pyjor në Berat, Sabri Zyka.


Deklarata është dhënë nga kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliaj, i cili u shpreh se organi i akuzës i ka komunikuar Zykës akuzën e "shpërdorimit të detyrës". Sipas Saliajt, akuza është e vërtetuar dhe pritet që çështja në ngarkim të tij të mbërrijë pranë gjykatës.


Prokurori tha se gjatë hetimeve që ky organ ka bërë në praktikën e punës së Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në Berat, rezulton se katër praktika të mbajtura nga inspektorët nuk janë referuar në organin e akuzës.


Gjithashtu, kontrollet e ushtruara nga inspektorët dhe që mbahen si praktika pune nuk kanë pasur firmën e drejtorit. Sipas kreut të Prokurorisë, kemi të bëjmë me katër praktika pune, të cilat pas kontrolleve të bëra në disa parcela të mbjella me pyje, rezulton se në to është ndërhyrë padrejtësisht nga subjektet private.


Për dy nga këto praktika drejtoria ka pushuar çështjen duke mos marrë asnjë masë dhe dy të tjera nuk i ka arkivuar madje as në arshivën e saj. Në këto kushte, prokuroria ka nisur hetimet ndërsa ka vënë nën akuzë drejtorin Zyka. R.Dosti

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›