Skandal në burgun e Drenovës, përdhunohet i mituri
KORÇË/ Një 16-vjeçar është dhunuar seksualisht nga persona të tjerë më të mëdhenj në moshë se ai
Çështja është munduar të mbahet e fshehtë nga autoritetet, ndërsa priten shkarkime në institucionin e riedukimit
KORÇË- Skandal në burg, përdhunohet i mituri në paraburgim. Një ngjarje shokuese ka tronditur prej disa ditësh burgun e Drenovës, vetëm 3 kilometra larg qytetit juglindor. Një 16-vjeçar nga rrethi i Pogradecit, i cili ndodhet në paraburgim, ka rënë pre e përdhunimt gati barbar të disa të paraburgosurve më të rritur se ai, ndërsa ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Korçës.
Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka nisur një grup të posaçëm hetimi, ndërkohë që përfaqësues të Avokatit të Popullit gjithashtu kanë kërkuar sqarime lidhur me këtë ngjarje të pazakontë.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm pak ditë më parë, ndërsa vetëm gjatë ditës së martë, autoritetet e burgut kanë çuar për vizitë mjekësore në spitalin rajonal të Korçës 16-vjeçarin A.I. I mituri i është nënshtruar pas mjekimeve dhe vizitave mjekësore edhe ekspertizës mjeko-ligjore.
Ndonëse autoritetet e burgut në Drenovë e kanë mbajtur "top sekret" ngjarjen, mësohet se ata nuk kanë mundur t'i shmangen një hetimi të nisur daj tyre. Mësohet se 16-vjeçari i akuzuar për veprën penale të "veprave të turpshme me të mitur" kishte vetëm disa muaj që ndodhej në paraburgim, ndërsa është nga rrethi i Pogradecit.
Ai ndodhej në një dhomë me disa të paraburgosur të tjerë, shumë më të mëdhenj se ai në moshë, por nuk bëhet i ditur se si ka ndodhur ngjarja. Megjithëse 16-vjeçari ka kërkuar ndihmë fillimisht tek drejtuesit e burgut, është përpjekur që ngjarja të mbahej e fshehtë, pasi mund të sillte një furtunë të vërtetë mbi ta.
Gjithçka ka dalë në dritë, ndërsa i mituri me dëmtime trupore nuk dihet se si ka mundur të njoftojë përfaqësues në Ministrinë e Drejtësisë, të cilët gjatë ditës së mërkurë kanë qenë prezentë në burgun e Drenovës.
Mësohet nga burime të sigurta se dhomat në paraburgim të të gjithë të burgosurve qëndrojnë të hapura, ndërsa komunikimi mes të burgosurve është krejt i pakomplikuar, ndonëse janë të vëzhguar nga gardianët e bugut.
Dhomat qëndrojnë të hapura pas një urdhri të Ministrit të Drejtësisë për stinën e verës, një procedurë e njohur kjo edhe më parë. 16-vjeçari iu ka treguar ngjarjen përfaqësuesve nga kryeqyteti, ndërsa është në gjendje shoku pas asaj që ka përjetuar.
Hetimet
Hetimet për ngjarjen shokuese të përdhunimit të një të mituri në burg kanë nisur vetëm 48 orë më parë. Pas sinjalizimit të drejtuesve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të saj kanë udhëtuar me urgjencë drejt Korçës duke nisur dhe hetimet. Një nga pistat e hetimit është ajo e një përdhunimi të qëllimshëm ndaj të miturit, për hakmarrje.
Mësohet si ai ndodhet në paraburgim nën një akuzë të rëndë si ajo e "veprave të turpshme me të mitur", ndërkohë që ka abuzuar me një djalë vetëm 7 vjeç nga fshati i tij. A.I. është nga rrethi i Pogradecit, ndërkohë që është ndaluar disa kohë më parë dhe pas arrestimit është transportuar në dhomat e paraburgimit në burgun e ri të Drenovës në Korçë.
Por, ndërsa kjo është një pistë, nuk përjashtohet dhe përdhunimi si një fenomen i njohur në burgje. Ky është rasti i parë i një skandali me këto përmasa, i cili pritet të rrëmbejë me vete dhe shkarkime të shumta në burgun e Drenovës.
Disa gardianë të turnit që kanë qenë në shërbim ditën e ngjarjes, janë përfshirë nga hetimi, ndërsa kanë dhënë dëshmitë e tyre të para, kurse nga ana tjetër janë duke u marrë në pyteje dhe një grup të paraburgosurish, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.
Gjithashtu, dy përfaqësues nga Avokati i Popullit kanë udhëtuar drejt kryeqendrës juglindore për të marrë informacion për ngjarjen, për të cilën do të hartojnë një raport të posaçëm.
Abuzimi me të miturit në burgje ka qenë një fenomen gati i panjohur më parë, ndërsa ky është rasti i parë kur një 16-vjeçar ka rënë pre e abuzimit seksual nga disa të burgosur të të njëjtit seks.