E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada Levan - Tepelenë, pronarët kërkojnë dëmshpërblimin

FIER - Më shumë se 200 familje në komunën Frakull, pronarë të tokës ku kalon autostrada Levan-Tepelenë, nuk kanë përfituar asnjë lloj shpërblimi sipas vendimit nr.1506, datë 19.11.2008 i Këshillit të Ministrave.


Nisur nga ky fakt, ata kanë bllokuar punimet e autostradës në kilometrin 3 të saj, duke mos lejuar firmën kontraktuese të vijojë punimet sipas projektit.


Ata kanë rreth 7 muaj që po "shëtisin" sa në një zyrë në tjetrën për pronën e tyre, por askush nuk po i dëgjon. Pikërisht kjo i ka detyruar që edhe ata të mos lejojnë punimet e autostradës në tokat e tyre.


Banorët shprehen se nuk do të lejojnë që firma të gërmojë në tokën pronë të tyre derisa të marrin shpërblimin që iu takon me ligj. 15 familje nuk ekzistojnë në listat e shpronësimeve, edhe pse preken në terren në pronën e tyre nga autostrada. Shumë prej tyre kanë mbjellë frutikulturë ku do t'i shkulen dhjetëra peme ose vreshta në prodhim.


Fermeri Artur Naci, i cili preket shumë nga këto shpronësime, por që nuk është i regjistruar në listë, shprehet se shteti, Kryeministri thotë që të bëhen investime në tokat e fermerëve që i kanë ato të certifikuara.


"Kemi bërë një investim prej 10 vjetësh dhe tani do të na i shkulin. Janë 80 rrënjë pemë në prodhimtari dhe nuk do të na i dëmshpërblejnë, edhe pse tokën e kam të certifikuar sipas ligjit",- thotë ai. Dhjetëra banorë janë mbledhur në ditën e djeshme në qendër të komunës duke kërkuar shpërblimin e munguar.


Shumë prej tyre kanë qenë në tokat e tyre duke treguar gjurmët e rrugës që do të kalojë në pronën e tyre, por nuk kanë marrë atë që i takonte sipas ligjit për shpronësimet. Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave për fermerët, shpronësimet duhej të fillonin në datë 20 nëntor 2008 dhe të përfundonin brenda datës 30 dhjetor 2008.


Por edhe pse ka kaluar një vit nga dalja e këtij vendimi, asnjë fermer që preket nga kjo autostradë nuk ka përfituar të holla, edhe pse kanë në duart e tyre dokumentin e pronësisë, si dhe aktet e tjera shkresore të kërkuar për këtë procedurë. K.Thanasi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›