E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfliktohen gjatë ditës, tenton ta shtypë me makinë

SHKODËR/ Arben Delija është prangosur pasi plagosi 53-vjeçarin Gëzim Alibali


Shkodër - Është grindur paradite me një shtetas dhe pasdite ka tentuar ta shtypë me makinë duke i shkaktuar plagosjen.


Ngjarja ka ndodhur pasditen e së mërkurës, rreth orës 18:20, në afërsi të tregut tek stadiumi "Loro Boriçi". Arben Delija, me banim në Shkodër, me mjetin e tij tip "Benz" ka goditur shtetasin Gëzim Alibali, 53 vjeç, i cili po lëvizte në këmbë.


Pasi e ka përplasur me automjet, në përpjekje për t'u larguar, Delija është përplasur dhe me dy mjete të tjera, një "Benz" dhe një "Fiat". Ai ka dalë nga mjeti dhe është larguar, por vetëm pas disa minutash policia ka bërë të mundur kapjen e prangosjen e tij. Kanë qenë kalimtarët e rastësishëm ata që kanë parë ngjarjen dhe i kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit.


Ai është dërguar në spitalin e Shkodrës me plagë në kokë e trup, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas dëshmisë të së dëmtuarit, por dhe dëshmitarëve okularë, mjeti që e ka goditur, e ka bërë veprimin me dashje.


I dëmtuari ka sqaruar se paraditen e së mërkurës ai dhe shtetasi Arben Delija ishin grindur mes tyre dhe Delija e kishte kanosur. Pasdite me mjetin e tij tip "Benz", në të cilin ndodhej dhe një person tjetër, ai e ka përplasur me dashje të dëmtuarin Alibali.


Mësohet se në polici Delija ka pohuar se nuk ka dashur ta vriste, por vetëm ta trembte të dëmtuarin, me të cilin kishte konflikt dhe ka deklaruar se ka qenë në gjendje të pirë.


Ndaj tij është ngritur akuza e "vrasjes me dashje të mbetur në tentative", ndërsa po punohet për gjetjen dhe shoqërimin e personit tjetër që ndodhej në makinë me të, i cili është larguar në këmbë me shpejtësi menjëherë pas përplasjes.


I ndaluari, autor i ngjarjes, ka pohuar se shoqëruesi i tij ka qenë pasagjer i rastësishëm, por sipas policisë akoma nuk është i zbardhur pozicioni i tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›