OSSH pranon vjedhjen, prokuroria nuk nis hetimet
Burime nga akuza bënë të ditur se prokurori nuk kanë nisur hetime në lidhje me abuzimet e Operatorit të Shpërndarjes ndaj konsumatorëve të energjisë elektrike. Duket se prokurorisë i mjaftoi fakti se OSSH u vetëdeklarua fajtore duke pranuar abuzimet në masën 105 milion lekë të rinj për të mos nisur një procedim penal për të zbardhur vlerën reale të dënimit që CEZ u shkaktoi konsumatorëve. Ndërkohë që OSSH deklaroi një ditë më parë se përgjegjësi për vjedhjen do të mbajnë faturistët as kompania ceke nuk ka depozituar kallëzim në prokurori për shkelësit e ligjit. Deri tani vetën Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorëve ka nisur për punën për përgatitjen e një kallëzimi për OSSH. Kjo zyra do të plotësojë dosjen jo vetëm me ankesat e qytetarëve në lidhje me mbifaturimin në dy muajt e fundit por edhe me prova të tjera të grumbulluara të cilat provojnë vjedhjet e OSSH. Prokuroria e Tiranës hesht para vjedhjes masive të OSSH. Me gjithë ankesat e qytetarëve për fatura marramendëse që janë detyruar të paguajnë apo edhe faktit se OSSH pranoi vjedhjen e të paktën 105 milion lekëve prokuroria nuk çel asnjë hetim. Si justifikim për këtë situatë akuza përdor faktin se asnjë prej qytetarëve nuk ka depozituar kallëzim në lidhje me faturat e energjisë. Por legjislacioni shqiptar i njeh prokurorisë të drejtën e nisjes së hetimeve kryesisht. Burimet nga akuza pohojnë se përplasja mes OSSH dhe konsumatorëve do të zgjidhet me kompensimin e faturave. OSSH ka pranuar shkeljet në 5300 raste por ankesat e qytetarëve për abuzime arrijnë një shifër shumë herë më të lartë. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve përgatit kallëzim penal ndaj drejtuesve të OSSH-së për Vjedhje me anë të mashtrimit (Neni 143 I Kodit Penal) dhe vjedhje me anë të mashtrimit kompjuterik (Neni 143/b I Kodit Penal). Sipas vendimit rritja e tarifave për konsumin nën 300 kë/h në 7.7 lekë/kvh ka hyrë në fuqi më 1 janar 2010, por OSSH e ka llogaritur me konsumin e energjisë të muajit dhjetor, që duhet të ishte 7 lekë (pa TVSH). Po ashtu ka ndodhur edhe me çmimet mbi fashën 300 kë/h. Të gjendur në këtë situatë absurde, konsumatorët janë ankuar pranë zyrave të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE) dhe të Zyrës për Mbrojtjes së Konsumatorëve, të cilat pasi janë njohur me problemin po reagojnë në mënyra të ndryshme. Dëmi që i është bërë konsumatorëve në mënyrë tinzare nga ana e OSSH-së është i rëndë por mbi të gjitha është një akt i shëmtuar pasi për realizimin e kësaj vjedhje është përdorur mashtrimi kompjuterik duke abuzuar pikërisht me mungesën e mekanizmave mbikëqyrës shtetëror në sistem. Sipas Kodit Penal, Kreu III I pjesës së Posaçme Vepra Penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, Seksioni II Mashtrimet, përcaktohet qartë se çfarë ka bërë OSSH me konsumatorët shqiptarë. Por po ashtu përcaktohet qartë se çfarë ndëshkimesh mund të marrin krerët e OSSH-së për mashtrimin që kanë bërë.
Last Updated on E Premte, 12 Mars 2010 22:10