Komedia Playboy i trojeve tona, një atmosferë irlandeze në Metropol
Playboy i trojeve tona është premiera e re e Teatrit të Metropolit, e cila do të vijë sonte në sallën më të re të tij. Shfaqja mban firmën e autorit John Millington Synge dhe vjen në skenë nga regjisori Kiço Londo. Për regjisorin Londo, kjo është një vepër e vështirë, për të cilën është punuar gjatë dhe me shumë pasion nga aktorët. I njohur tashmë për sukseset
e tij në skenën teatrore, për shfaqjet me vlerat të larta artiske që regjisori Londo ka vënë në skenë, ai konsideron këtë vepër si një sfidë të aktorëve. Janë aktorë të rinj dhe kanë punuar me shumë pasion. Janë të talentuar, por unë këtë vepër do ta konsideroja si një sfidë të aktorëve. Është një vepër e madhe dhe ka 11 personazhe, të cilët interpretojnë brenda një kuadrati kashte, pohoi Londo gjatë konferencës së shtypit që u zhvillua dje në Teatrin e Metropolit. Vepra do të interpretohet në sallën Bodrum, e cila vjen këtë herë krejt ndryshe nga skenat teatrore që ne jemi mësuar tashmë që ti shohim. Për drejtorin e këtij institucioni kulturor, kjo komedi është një eveniment për dy arsye. Evenimenti i parë është inaugurimi i sallës Bodrum, ndërsa evenimenti i dytë është vetë shfaqja. Ajo do të interpretohet në një sallë të re, është një vepër e vështirë që e realizojnë aktorë të rinj, por të talentuar. Në Bodrum erdhi një atmosferë irlandeze. Kam bindjen që teatri është një nga strukturat më themelore të shoqërisë, por kjo strukturë ka qenë e mangët dhe ne jemi me vonesë në disa gjëra, theksoi ndër të tjera regjisori Kiço Londo. Playboy i trojeve tona do të ketë 25 shfaqje nga 11mars-18 prill. Pothuajse dy vjet më parë jetës kulturore të kryeqytetit iu shtua një hapësirë e re, Teatri i Metropolit. Ky teatër gjatë kësaj periudhe i është përmbajtur qëllimit të tij: si një Far në anë të detit, ku ka drejtuar dhe tërhequr drejt vetes krijues, regjisore, aktorë të rinj, duke iu dhënë mundësinë të shprehin ndjesitë, aftësitë dhe dashurinë e tyre për teatrin. Me këtë sallë të re teatrore ky teatër, e çon në dy numrin e sallave, duke i shtuar hapësirës teatrore të kryeqytetit më shumë ambiente për të sjellë vepra skenike. Salla Bodrum ka 80 vende dhe është realisht një sallë black box. Salla Bodrum ndërtohet për herë të parë në Shqipëri do të funksionojë për performanca kontemporane, eksperimentale dhe do te ndihmojë aktorët dhe regjisorët për zbulimin e zhanreve dhe rrymave të reja teatrore. Kjo sallë është ndërtuar me fonde të Bashkisë së Tiranës. Qendra Metropol është institucioni artistik më i financuar në vend, përfshi këtu edhe institucionet kombëtare. Salla Çehov, e krijuar vetëm dhjetë muaj më parë i ofrohet publikut me 120 vende, një sallë me standarde evropiane kontemporane. Në maj pritet të përfundojnë ndërtimet në sallën Globus, e cila mendohet të jetë rreth 300 vende.
Çfarë ndodh tek Playboy i trojeve tona?
Komedia Playboy i trojeve tona, i autorit John Millington Synge, një pjesë me tre akte që zhvillohet në një fshat të vogël të Irlandës rreth viteve 1900. Playboy i trojeve tona është një komedi me elemente satirike dhe tragjike. Synge do që audienca të qeshë me karakteret e tij, por gjithashtu do që audienca të verë re anën njerëzore të këtyre personazheve, gabimet dhe defektet e tyre. Njerëzit që frekuentojnë tavernën e fshatit Flaherty kanë ngecur në një cep të Irlandës. Me përjashtim të Christy Mahon-Lulzim Zeqja, ata nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar këtë gjë. Edhe Pegeen Flaherty-Marsela Lena, një femër e re dhe tërheqëse, e cila është plot fuqi shpirtërore e bën atë të distancohet nga jeta e errët rurale në fshatin Mayo. Për herë të parë në skenën e teatrit shqiptar do të luhet teatri i komunikimit të gjallë, duke krijuar, ndoshta për herë të parë një formë te re të interpretimit skenik. Aktorët e rinj që do të mbajnë peshën e këtij interpretimi do të përballen me sfidën e një teksti të vështirë, shkruar nga Synge, në mjeshtër i shkrimit të dialogëve të gjallë, të mbushur me ekzaltime dhe imagjinatë shumëngjyrëshe. Playboy i trojeve tona pati debutimin e parë më 26 janar 1907 në teatrin Abbey në Dublin. Shoqëria Ndërkombëtare e Teatrit ishte producente e dramës dhe W.G. Fay ishte regjisori që interpretoi rolin e Christy Mahon. Rebelime dhe protesta shoqëruan hapjen e performancës, pasi shumë kritikë të teatrit ishin shprehur se pjesa bazohej në steriotipin e Irlandezëve duke i treguar ata si pijanecë, mburravec ë e llafazanë.
Playboy i trojeve tona
Autor: John Millington Synge
Përktheu: Sesilia Plasari
Regjisor: Kiço Londo
Skena&Kostumet: Berina Kokona
Muzika: Linda në Botën e Çudirave
Me aktorët: Lulzim Zeqja, Florian Agalliu, Xhejni Fama, Marsela Lena, Besmir Bitraku, Redian Mullaj,Sesilia Plasari, Alban Musta, Ina Gjonçi, Adriana Tolka, Aida Bajraktari.
Nga Julia Vrapi