OSSH pret energjinë në ujësjellësat e 8 qyteteve
Tiranë- Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka vendosur të ndëshkojë borxhlinjtë e energjisë elektrike. Këtë radhë, në listën shumëvjeçare të debitorëve janë ujësjellësat e disa qyteteve të vendit, të cilat pas vendimit më të fundit do të mbeten pa energji. Sipas burimeve pranë operatorit, mësohet se energjia do t’u ndërpritet ujësjellësave të 8 qyteteve.
“Ujësjellësat e qyteteve Durrës, Shijak, Lushnje, Fushë-Kruje, Shkodër, Fier, Korçë dhe Elbasan do të lihen pa energji elektrike”- ka njoftuar vetë OSSH-ja.
Sipas saj, një vendim i tillë ka ardhur, pasi kanë dështuar përpjekjet për të mblehdur detyrimet që këto ndërmarrje i kanë operatorit.
I njëjti burim bën me dije se detyrimet e këtyre ndërmarrjeve për vitin 2007 kanë qenë rreth 325 milionë lekë, ndërsa për vitin 2008, 102 milionë lekë, duke arritur në total shifrën e 427 milionë lekë.