E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, PS: Berisha dështoi me premtimin

Tiranë- Partia Socialiste ka theksuar sot se qeveria Berisha ka dështuar në premtimin për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Në një komunikim me mediat deputetja socialiste Arta Dade ka deklaruar se kjo ndodh pasi qeveria ka dështuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Komisioni Europian.

Sipas saj, opozita ka insistuar dhe e ka patur ne fokus inkurajimin e qeverisë që të përshpejtojë përmbushjen e standardeve, por ka munguar vullneti politik nga ana e maxhorancës.

Ajo ka numëruar pikat e udhërrëfyesit të BE-së, lidhur me lehtësimin dhe liberalizimin e vizave, duke u ndaluar në rekomandimet bazë. “Siguria dhe Besueshmërinë e dokumenteve të identifikimit, megjithëse kanë kaluar tre vjet ende shtetasit nuk janë pajisur me dokumente jo lehtësisht të falsifikueshme. Pavarësisht retorikës së Kryeministrit Sali Berisha dhe kurajës së tij për të konsideruar problemet e krimit dhe korrupsionit si jo reale, por thjesht perceptime, pavarësisht pohimeve të tij amatoreske dhe delirante se Shqipëria është vendi edhe më i sigurt se vendet perëndimore, realiteti qeverisës dhe situata në Shqipëri sa vjen dhe përkeqësohet”- tha ajo.

Për vërtetimin e kësaj, sipas Dades, flasin qartë raportet e OKB për krimin në Shqipëri,raporti i Departamentit të Shtetit për Trafikimin e vitit 2008 për vitin 2007, sipas të cilit Shqipëria kalon nga niveli i dytë një shkallë më poshtë, pra në listën e vrojtimit të grupit të dytë. Të njëjtin shqetësim transmeton sipas saj edhe raporti i Prokurisë së Përgjithshme për situatën e krimit në Shqipëri, ku është rritur ndjeshëm krimi ekonomik.

Dade ka kujtuar edhe tragjedinë e fundit, atë të Butrintit dhe shkakun që con në ngjarje të tilla, përballë të cilave qeveria nuk merr asnjë masë.

Përkundër gjithë kësaj, Dake ka theksuar se lëvizja e lirë, do të jetë një nga përparësitë që socialistët në pushtet do të realizojnë si një detyrim ndaj shtetasve që ata ta ndiejnë veten të barabartë me qytetarët e tjerë të familjes ku duam të integrohemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›