BSH, do rishtypet monedha 10 lekëshe
Tiranë- Monedha me prerje 10 lekë do të rishtypet sërish. Banka e Shqipërisë, ka përgatitur projektin”Për rishtypjen e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor, me prerje 10 lekë”. Burime nga Banka Qendrore, kanë bërë me dije se vendimi për zbatimin e këtijprojekti pritet të miratohet javën e ardhshme, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë, BSH-ja, mbështetur në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, në pikën "Për hedhjen në qarkullim të prerjeve të reja të kartmonedhave dhe monedhave kombëtare e për tërheqjen nga qarkullimi të parasë", po vazhdon punën për tërheqjen nga qarkullimi të disa kartmonedhave.
Sipas BSH-së, nga qarkullimi do të tërhiqen, kartmonedha të prerjes 100 lekë, emetim i viteve 1993, 1994, 1996, imazhi i "Luftëtarit Kombëtar"; kartmonedha eprerjes 100 lekë, emetim i vitit 1996, imazhi i "Fan S. Noli" dhe kartmonedha të prerjes 200 lekë, emetim i viteve 1992,1994 dhe 1996, imazhi i "Ismail Qemalit".
Tërheqjae plotë nga qarkullimi do të vazhdojë deri më 31.12.2010 dhe do të bëhet në dy faza.
Ndërkohë që në fazën e parë, këto kartmonedha do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor, pra do të mund të përdoren si mjet pagese për likuidimin e transaksioneve tregtare dhe shërbimeve deri më datë 31.12.2008. Pas kësaj date, ato nuk mund të përdoren më për qëllimet e sipërpërmendura, duke mos u pranuar më si mjet pagese.
Ndërsa në fazën e dytë, kartmonedhat me prerjet e përcaktuara më lart, do të mblidhen për këmbim kundrejt pagesës të vlerës fillestare të emetimit me kartmonedha dhe monedha të tjera të qarkullimit, deri në datën 31.12.2010.
Sipas BSH-së, dorëzimi dhe këmbimi i tyre me kartmonedha e monedha metalike me kurs ligjor do të bëhet pranë sporteleve të bankave të nivelit të dytë pa pagesë.
Banka e Shqipërisë udhëzon bankat e nivelit të dytë që në periudhën 01.01.2009 deri më 31.12.2010, të pranojnë nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë me këmbim, prerjet e mësipërme, kundrejt vleftës së plotë fillestare (vlerës nominale), me monedha kombëtare të qarkullimit. (atsh)