Studimi, popullsia e Shqipërisë drejt ”plakjes”
Emanuela Sako
Popullsia shqiptare po shkon drejt plakjes, pasi numri i lindjeve ka pësuar rënie. Niveli i lindshmërisë në vendin tonë nga 3.6 që ka qenë më parë është ulur në 2.1 për qind. Ulja e lindshmërisë është e lidhur me aspekte sociodemografike dhe ekonomike. Sipas një studimi të Ministrisë së Shëndetësisë, lindshmëria po pëson gjithmonë e më shumë rënie, megjithëse nuk mund të thuhet se situata është problematike. Kështu, numri i lindjeve është sa gjysma e një dekade më parë. Studimi detajon se popullsia shqiptare po shfaq tendenca të plakjes, ndërsa në vitin 2010 mendohet se mosha e personave mbi 60 vjeç do të jetë 13.1 % e popullsisë. Tranzicioni i viteve të fundit ka bërë që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vendase në moshë të re të emigrojë, për pasojë të ulet numri i lindjeve në vend. Jo më pak ndikim në këtë prirje ka edhe lëvizja e brendshme e popullsisë drejt zonave urbane.
Arsyet
Plakja e popullsisë në botë dhe në vendin tonë pothuajse ka të njëjtat arsye. Në vendin tonë, kjo tendencë është vënë re vetëm vitet e fundit, ose pas viteve 1990, kur filluan dhe ndryshimet e para në ekonomi, në stilin e jetesës, në planifikimin familjar etj. Kështu, një ndër arsyet është lëvizja e lirë dhe e pakontrolluar e popullsisë, ndryshimi i raportit të popullsisë qytetare ndaj asaj fshatare. Kryesore është edhe emigrimi, veçanërisht i djemve të rinj. Vështirësitë ekonomike dhe papunësia që përjeton vendi ynë bëjnë që çiftet e reja të mos kërkojnë të lindin më tepër se dy fëmijë, por edhe politika e lirë mbi abortin ka një ndikim mbi nivelin e lindshmërisë. Futja e mjeteve moderne të planifikimit familjar është një strategji e përdorur nga të gjitha gratë. Shqiptarët ende nuk janë futur në vendet problematike përsa i përket plakjes së popullsisë, por vitet e fundit vihet re një ulje e numrit të lindjeve në vend.
Europa
Në vitin 2025, shumë vende të Europës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik do të kenë një popullsi ndër më të plakurat në botë. Kjo përbën një kërcënim për sukseset ekonomike të kohëve të fundit në rajon nëse reformat e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor nuk trajtohen siç duhet dhe nëse nuk zbatohen politika që promovojnë rritjen e eficiencës. Kudo në botë, shoqëritë e plakura përballen me rrezikun e pasojave serioze ekonomike. Sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, ende, Europa Lindore dhe ish-Bashkimi Sovjetik, që përfshijnë 28 vende nga Rusia deri te Shqipëria, përbëjnë rajonin e vetëm në botë që përballet me sfidën e kombinuar të plakjes së shpejtë, kryesisht me popullsi të varfër dhe një tranzicion të papërfunduar drejt një ekonomie tregu të zhvilluar. Në këto vende, problemet janë përkeqësuar si rezultat i nevojës për të shpejtuar tranzicionin ekonomik dhe në të njëjtën kohë për të ndërmarrë reforma urgjente afatgjata që trajtojnë pasojat demografike, - thuhet në raportin e Bankës Botërore “Tranzicioni i tretë” i popullsive në plakje në Europën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik”.
Shkaqet e plakjes në Europë:
Emancipimi i shoqërisë
Rritja e numrit të grave në karrierë
Numri i madh i çifteve që bashkëjetojnë
Mentaliteti për të pasur vetëm një fëmijë dhe për t’i plotësuar atij të gjitha kushtet
Shkaqet e plakjes në Shqipëri:
Emigracioni i popullsisë në moshë të re
Lëvizja drejt zonave urbane
Rritja mesatare e moshës së martesës
Ulja e numrit të fëmijëve që një çift do të lindë
Jetëgjatësia
Jetëgjatësia është 74 vjeç
Jetëgjatësia për meshkujt është 72.5 vjeç
Jetëgjatësia për femrat është 77.5 vjeç
Këta tregues janë të njëjtë me vendet e zhvilluara dhe nga ana tjetër tregues si vdekshmëria foshnjore, vdekshmëria amtare dhe treguesi i sëmundjeve akute janë të krahasueshme me vendet në zhvillim.
30 Dhjetor 2008