E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, suksesi dhe risku ynë i përbashkët

Sokol Kodra 

Nisur nga këndvështrimi  i konsumatorëve asnjëherë nuk është momenti i përshtatshëm për të rritur çmimin e energjisë elektrike për më tepër kur ekonomia e vendit nuk është në ditët e saj më  të mira. Të gjithë ata që janë përfshirë në debatin e ditëve të fundit, pavarësisht cilësisë dhe natyrës së argumenteve, vlerësojnë se Shqipëria është me fat që arriti të përmbyllë një proces të suksesshëm të privatizimit të kompanisë shtetërore OSSH nga CEZ, një prej dhjetë kompanive më të mëdha të Evropës. Çmimi i lartë që CEZ pagoi në një kohë krize botërore ndihmoi ekonominë shqiptare të shmangte goditjet nga kriza, por çliroi shqiptarët nga detyrimet e rënda dhe të përvitshme që i shkaktonte OSSH, një gropë e zezë për financat publike.
Prania e CEZ - këtij investitori të fuqishëm në tregun shqiptar të energjisë - është tepër e rëndësishme për të ardhmen e zhvillimit të këtij sektori jetik për ekonominë shqiptare, që ka vuajtur si askush tjetër nga mungesa e energjisë elektrike. I listuar në bursat më të fuqishme botërore, CEZ është prodhuesi i 67,595 GWh energji për vitin 2008, është pronar i centraleve bërthamore në Ceki dhe partner strategjik për ndërtimin e dy të tjerave në Sllovaki, është duke ndërtuar në Rumani parkun më të madh në Evropë për prodhimin e energjisë me erë me një kapacitet 600 MË, pronar i HEC-eve, TEC-eve në vende të ndryshme të Evropës Qendrore dhe Juglindore, me investime nga Polonia deri në Turqi ka në pronësi edhe OSSH, deri dje një prej kompanive shqiptare më të keqmenaxhuara. Mungesa e investimeve në më shumë se një dekadë, rrjeti i vjetër dhe i shkatërruar, shoqëruar me kulturën konsumatore “merr dhe mos paguaj” e kishte shndërruar OSSH në një gropë të zezë për financat publike, në një vatër korrupsioni, në një faktor risku për çdo biznes në Shqipëri dhe një furnizues të rregullt të pakënaqësisë së elektoratit ndaj çdo qeverie. CEZ po implementon një strategji të admirueshme për shndërrimin e OSSH nga një dinozaur i vdekur i komunizmit drejt një shërbyesi të përulur të konsumatorëve shqiptarë. Investimet prej më shumë se 3 miliardë lekë në vitin 2009 dhe rreth 4 miliardë e gjysmë për 2010 do të realizojnë në një kohë të shpejtë vendosjen e matësve elektrikë për çdo konsumator, duke i dhënë fund faturave aforfe që kanë abuzuar paprerë me xhepat e qytetarëve. Këto fonde janë parashikuar të shkojnë edhe drejt shtrirjes së rrjeteve 20 KV në mbarë vendin, vendosjen e linjave ABC dhe shtrirjen e kabllove me voltazh të ulët, si edhe përmirësimin e kabinave. Këto ndërhyrje të fundit kuptohen më mirë nga ata që kanë drita në shtëpi, por nuk arrijnë të ndriçohen sa duhet, kuptohen nga ata që u ikin dritat sa herë bie shi, kuptohen nga ata që kanë humbur të afërmit e tyre në kabinat pa kushte sigurie, nga ata që kërcënohen çdo ditë që lëvizin në lagje prej telave të zhveshur të korrentit që u qëndrojnë mbi kokë. Qeveria shqiptare, aktorët e ndryshëm politikë dhe institucionalë, por edhe qytetarët kanë një sfidë të vështirë në ditët që vijnë. Më shumë se për rëndësinë e disa qindarkave që do të duhet të paguajnë më shumë duhet të shikojnë dhe të sigurohen se CEZ është këtu për të na dhënë ato që nuk i kishim për vite me radhë, për të na siguruar se ato gjëra që u ranë dakord në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes po realizohen dhe nuk ka frenim, apo rënie të cilësisë së shërbimeve që duam. Sa kohë që çështja e çmimit të energjisë është produkt i negociatave mes OSSH, KESH, OST dhe ERE, të tjerët duhet të presin me qetësi rezultatin e tyre.
Përvoja rumune, bullgare dhe maqedonase pas privatizimit të kompanitë shtetërore të sistemeve të shpërndarjes së energjisë ka treguar se katër janë sfidat e papritura më të cilat ju duhet të përballen investitorët dhe entet rregullatorë pas procesit të privatizimit:
1. Kualiteti i shërbimit që lidhet me investimin. 2. Termat e qarta të investimit dhe ruajtja e pavarësisë së rregullatorit. 3. Ruajtja në kohë e angazhimeve politike ndaj privatizimit. 4. Ndikimi i hapësirave ose i paqartësive në kuadrin ligjor të rregullatorit.
Për ta ruajtur të suksesshëm procesin e privatizimit të OSSH është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë të modulojnë qëndrimet e tyre për të përballuar si duhet sfidat e mësipërme. Vlera e humbjeve në rrjet nuk përcaktohet në tavolina politike, për më tepër në ato që duan të mbushin axhendën e aksioneve politike të ditës, por aty ku janë rrjetet e lodhura që na përcjellin dritën. Risku që i krijohet OSSH, është risk që i krijohet njëherësh qytetarëve, pasi qeveria ka nënshkruar për garancitë e dhëna nga Banka Botërore në këtë privatizim. Pa u ndalur tek studimet e shumta që tregojnë se shqiptarët paguajnë më pak se kosto reale e energjisë që marrin, apo studime të tjera që tregojnë se ruajtja e çmimit të ulët të energjisë favorizon vetëm të pasurit, debatet për çmimin u duhen lënë atyre që janë përgjegjës për vendosjen e tij. Me një investitor serioz si CEZ që ka synime afatgjata biznesi në Shqipëri dhe në rajon, shqiptarët duhet t’i pohojnë dhe mësojnë çdo ditë njëri-tjetrit kulturën e konsumatorit perëndimor “paguaj që të kesh” energji. Suksesi dhe risku i tyre në Shqipëri ndahet me qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›