E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji, Braçe: Qeveria po u grabit banorëve tokat

 

Deputeti socialist Erion Braçe akuzoi Kryeministrin Berisha se me një projektligj të ri kërkon t’u grabisë tokat bujqësore fshatarëve. Ai thotë se ka zbuluar që në rendin e punimeve të Kuvendit ka hyrë një projektligj, “Për disa ndryshime në ligjin e vitit 1995, për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, i cili ka ardhur në Kuvend thotë ai në janar të vitit 2008. Duke iu referuar ligjit të vitit 1995, Braçe sqaron se ai merrte përsipër t’u japë punonjësve të ish-ndërmarrjeve bujqësore tokë në përdorim, ndërsa nuk përcaktonte siç argumenton ai, sipërfaqen e tokës. Për këtë qëllim, por edhe për qëllime elektorale, vijon ai, presidenti asaj kohe Sali Berisha nxjerr një dekret dy muaj para zgjedhjeve të majit 1996. “Sipas atij ligji parashikohet se për familjet me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit do të jetë 1500 metra katrorë. Ndërsa për familjet me më pak pjesëtarë, masa e kompensimit do të zbritet 200 metra katrorë për çdo pjesëtarë më pak”, sqaroi Braçe. Deputeti socialist kthehet te drafti i paraqitur nga qeveria për disa ndryshime në ligjin e vitit 1995 dhe sqaron se me këtë draft qeveria iu grabit përdoruesve të tokës bujqësore, 1 mijë metra katrorë. “Në nenin 1 thuhet se kompensimi në truall për familjet mbi gjashtë pjesëtarë, sipërfaqja e truallit të jetë deri në 500 metra katrorë. Nga 1500 metra katrorë që i jepte tek projektligji i vitit 1996, tani i jep 1 mijë metra katrorë më pak”, tha Braçe.
Deputeti socialist thotë se kjo ka ardhur si rrjedhojë e korrupsionit të pushtetit, që prej këtij viti. “Ka mbetur peng i korrupsionit, sepse me ta është bërë pazari: më jep një sipërfaqe nga kjo tokë që të ka dhënë dekreti, që unë të ta regjistroj në zyrën e regjistrimit të pasurive. Po sipas deklarimeve të tyre, një pjesë e atyre që kanë përfituar nga ky dekret, janë trajtuar në mënyrë preferenciale sepse i janë nënshtruar kësaj marrëdhënieje korruptive në zyrat e shtetit shqiptar: kanë falur tokë për të përfituar regjistrimin e pasurisë. Ndërkohë të tjerët që nuk i janë nënshtruar këtyre marrëdhënieve korruptive me shtetin shqiptar janë në rrugë dhe kërkojnë të drejtën e tyre sipas këtyre ligjeve të qeverisë së po të njëjtit njeri, Sali Berishës”, theksoi Braçe.

Ligori: Po grabiten pronat publike
Deputetja e PS-së, Shegush Ligori, akuzoi dje Kryeministrin Berisha se vendimi i qeverisë për pronat publike është bërë në interes të familjes Berisha. “Pasi përdori Policinë e Shtetit kundër pronarëve të ligjshëm në Orikum për të ndihmuar Rrahmanin, mikun e ngushtë të djalit tij. Pasi rrethoi forcërisht një pronë private në Tiranë, të cilën njërën ditë Olldashi e mbolli me shkurre, dhe ditën tjetër Berisha vendosi ta shiste, konflikti i interesit arriti dje kulmin, me vendimin e marrë nga qeveria për të shitur tokën publike. Ne i bëjmë thirrje Sali Berishës, të mbajë duart larg pronës së shqiptarëve dhe të ndalojë zinxhirin e abuzimeve dhe korrupsionit që po ndodh sot me pronat dhe asetet publike”, tha Ligori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›