Itali, kapet shqiptari korrier heroine
ITALI/POTENZA - Policia italiane ka vënë dje në pranga një të ri shqiptar, i cili po transportonte një sasi prej një kilogramë heroinë. Mediat italiane pohuan se i arrestuari mëngjesin e djeshëm është 24-vjeçari Luiz Xhani, nga Tirana, ndërsa operacioni për kapjen e tij ishte organizuar në trenin e linjës Torino-Crotone, në të cilin udhëtonte shqiptari, banor i provincës së Castelfidardos në Ankona. Sipas mediave italiane, të cilat u janë referuar burimeve policore, në kohën që agjentët antidrogë i janë afruar, i riu shqiptar ka tentuar të ulë frenat e dorës në vagonin ku ndodhej duke u përpjekur në këtë mënyrë të largohej me vrap. Por gjithçka ka rezultuar e pamundur, pasi ai është neutralizuar prej policëve, të cilët me të shpejtë kanë shtrënguar prangat në duart e tij. Më pas gjatë kontrollit në bagazhet e tij është gjetur lënda narkotike prej një kilogramë e fshehur mes sendeve të tjera. Po kështu sipas mediave italiane pohohet se bashkë me të arrestuarin Xhani, mësohet se ka udhëtuar edhe një person tjetër nga Bari drejt qytetit të Crotone-s, i cili ende nuk ka rënë në prangat e policisë, por që është identifikuar. Paraprakisht policia italiane pohon se lënda narkotike ishte nisur nga qyteti i Barit, ku mendohet se është dërguar pak kohë më parë nga vende të lindjes, ndërsa pritet që gjithçka ta zbardhin hetimet që kanë nisur për këtë çështje. I arrestuari Xhani akuzohet të kishte rolin e furnitorit të shpërndarësve që vepronin në zonën e Crotone-s. Po dje policia italiane pohoi se ka shkatërruar një tjetër bandë ndërkombëtare të trafikut të drogës, anëtarë të së cilës janë edhe disa shqiptarë, që gjithashtu kanë rënë në pranga. Guardia di Finanzia e zonës së Trentos ka arrestuar 12 persona me kombësi shqiptare, sllovene, kroate, gjermane dhe italiane. Pas përfundimit të operacionit autoritetet policore pohuan se për kapjen e kësaj bande u deshën tre vite hetime nga autoritetet e Trentos. Gjatë operacionit u sekuestruan 44 kilogramë kokainë dhe heroinë, me një vlerë rreth 4.5 milionë euro. Ndërkohë 11 persona janë shpallur në kërkim, të cilët dyshohet se janë anëtarë të kësaj bande. Kjo bandë furnizonte me drogë rajonet veriore dhe qendrore të Italisë, ndërsa mendohet se droga qarkullonte nga Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Gjermania, Holanda dhe Republika Çeke. f.m.