Apeli shqyrton arrestin e Taçit
Armand Bajrami
Rezart Taçi, biznesmeni i lënë në "arrest me burg" për përfshirje në rrahjen e gazetarit Mero Baze pak ditë më parë i drejtohet Apelit për ndryshimin e masës së sigurisë dhënë ndaj tij. Burime pranë Gjykatës së Apelit bënë të ditur se në datën 19 nëntor të këtij muaji, togat e zeza të kësaj gjykate do të shqyrtojnë ankimin e Rezart Taçit dhe të dy shoqëruesve të tij Irgen Selfo dhe Bledar Lilo mbi vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për caktimin e masës së sigurisë që i la ata në qeli. Ndërsa revokimi i masës së sigurisë, i kërkuar nga avokatët e Taçit të martën, pritet të shqyrtohet nesër në Gjykatën e Tiranës.
Ankimi në Apel
Ankimi i avokatëve mbrojtës të Rezart Taçit dhe dy shoqëruesve të tij, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, është depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Mësohet se në Apel nga ana e mbrojtësve do të paraqitet edhe një akt ekspertimi mjekoligjor i kryer ndaj Irgen Selfos, që fakton shenja dëmtimesh në fytyrën e tij, në buzë dhe në faqe. Akt-ekspertimi është kryer pas një kërkese të avokatit të tij mbrojtës, kërkesë e miratuar edhe nga organi i akuzës. Gjithashtu pritet që në shqyrtimin në Gjykatën e Shkallës së Dytë të kërkohet nga avokatët edhe kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor edhe për shoqëruesin tjetër, për të provuar pretendimet e tyre se janë qëlluar nga gazetari Baze.
Presidenti i kompanisë "Taçi Oil" u "ngatërrua" me ligjin mbrëmjen e 3 nëntorit në një nga lokalet e zonës së ish-Bllokut në Tiranë. Ndërsa ishte i shoqëruar nga Selfo dhe Lilo, ata u përfshinë në një episod të dhunshëm mes tyre dhe gazetarit Mero Baze, i cili ishte ulur në një tavolinë tjetër të të njëjtit lokal. Sipas një kallëzimi të bërë më pas nga gazetari Baze në polici, ai pretendoi se ishte dhunuar fizikisht nga biznesmeni dhe dy shoqëruesit e tij. Policia ndaloi Selfon dhe Lilën pas ngjarjes, ndërsa në pamundësi për të ndaluar biznesmenin e shpalli atë në "kërkim policor". Dy ditë pas ngjarjes, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për Irgen Selfon dhe Bledar Lilon, si edhe të njëjtën masë sigurie në mungesë për biznesmenin. Pak orë pas caktimit Taçi u paraqit në polici. Ndërsa u paraqit për njohje me masën e caktuar, gjykata refuzoi garancinë pasurore prej 100 mijë euro të ofruar nga biznesmeni në këmbim të një mase më të lehtë sigurie. Avokatët e kundërshtuan publikisht vendimin, duke pohuar se ishte i paracaktuar dhe se klienti i tyre nuk përmbushte parashikimet ligjore të nevojshme për t'u lënë në "arrest me burg".