E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, 250 gjyqtarë duan vend në Tiranë

 

Fatos Mahmutaj

Gjyqtarët e gjykatave të Faktit në rrethe "lumë" kërkesash në KLD për transferim në Tiranë. Burime nga ky institucion pohojnë se dekretimi rreth një muaj më parë nga Presidenti i Republikës i numrit të gjyqtarëve për secilën Gjykatë Fakti dhe Apeli në vend ka bërë që thuajse të gjithë togat e zeza e dy shkallëve të para në vend t'i drejtohen me kërkesa KLD-së për transferim në kryeqytet. Rreth dy muaj më parë Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi se brenda tre viteve të ardhshme, numri i gjykatësve në Gjykatën e Tiranës do të shtohej me 14 vete, krahasuar me numrin aktual, ndërsa në Apel do të shtoheshin 6 vende të tjera. Këtë shtim të vendeve për gjyqtarë kreu i shtetit e ka argumentuar me ngarkesën e tejskajshme të punës në këto dy institucione, të cilët shqyrtojnë rreth 60% të proceseve gjyqësore në shkallë vendi. Nisur nga ky fakt, rreth 250 kërkesa të gjyqtarëve të dy Shkallëve të Para, i janë drejtuar KLD-së për transferime në kryeqytet, apo emërime nga Fakti në Apel. Po kështu ka pasur edhe kërkesa të gjyqtarëve të rretheve të vogla që kërkojnë transferime në gjykata të rretheve më të mëdhenj. Ndërkohë për ironi të fatit, asnjë gjyqtar nuk ka paraqitur kërkesë për t'u transferuar në Gjykatën e Përmetit, e cila pritet të nisë funksionimin në muajin janar të vitit 2010. Bazuar në dekretin e Presidentit Bamir Topi, i cili për shkak të detyrës mban edhe postin e kreut të KLD-së, pritet që emërimet në kryeqytet të bëhen në mbledhjet e radhës të Këshillit. Ndërkohë burime nga Këshilli pohojnë se në lidhje me transferimet në kryeqytet do respektohen kriteret ligjore, ndërsa të gjithë kandidatët do t'i nënshtrohen verifikimeve dhe rregullave përzgjedhëse të vendosura nga KLD-ja. Ndërsa nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në një prononcim të mëparshëm në lidhje me transferimet e togave të zeza, pohoi se anëtarëve të KLD-së, të cilët do të propozojnë lëvizjet do t'u duhet të argumentojnë para kolegëve arsyet e transferimeve dhe kriteret për kandidatin që propozojnë. Po kështu, Spahiu pohoi atëherë se veç të tjerash, pritet që disa gjyqtarë të lëvizen nga kryeqyteti drejt rretheve të tjera, si dhe të transferohen gjyqtarë të rretheve të vogla, të cilët qëndrojnë prej më shumë se 10 vitesh në të njëjtin vend pune duke bërë që të familjarizohen me banorët. Po kështu pritet që të rikthehen në vendet e tyre të punës edhe dy gjyqtarë të Apelit të kryeqytetit, të cilët padrejtësisht u ulën në detyrë në vitin 2005. KLD-ja atëherë zbatoi një ligj, të cilin më pas e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese si antikushtetues, ndërkohë që gjyqtarët fituan edhe disa procese gjyqësore kundër KLD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›