Shiti tri herë tokën, në gjyq mashtruesi i Kasharit
TIRANE - Prokuroria e Tiranës çon në gjykatë një 69-vjeçar të akuzuar për mashtrimin e shitjes tri herë të një sipërfaqe toke me dokumente të falsifikuara. Burime zyrtare pranë gjykatës së kryeqytetit bënë të ditur depozitimin në sekretarinë e kësaj gjykate të dosjes në ngarkim të Xhavit Aruçit, 69 vjeç. Shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtarin Albert Meça si shqyrtues të kësaj kërkese, ndërsa seanca e parë është caktuar në 14 dhjetor të këtij viti. Sipas Prokurorisë, Xhavit Aruçi akuzohet për "mashtrim në dëm të disa personave me pasoja të rënda" dhe "falsifikim dokumentesh". Bëhet e ditur se hetimet për të moshuarin kanë nisur rreth një vit më parë, pas tre kallëzimeve të njëpasnjëshme të tre biznesmenëve se ishin mashtruar prej tij. Sipas organit të akuzës, i moshuari kishte shitur trokën e një fshatari në Fushë-Mëzes, duke përdorur dokumente të falsifikuara të pronësisë së saj tre personave të ndryshëm. Mësohet se vlera monetare e përfituar nga tre shitjet ishte 7 milionë lekë të rinj. Pronarët e rinj kanë kuptuar mashtrimin kur atyre u është paraqitur pronari real i truallit, me dokumentacion të rregullt. ar.ba