E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në grup:Hapja e kutive, e parealizueshme



Çdo çështje është e zgjidhshme, përveç hapjes së kutive, që është e parealizueshme. Kryeministri Sali Berisha i kujtoi dje kryesocialistit Edi Rama se gjykata rrëzoi qeverinë 17 herë, por nuk i kundërshtoi vendimet e saj. Ndaj Berisha konfirmon vullnetin e qeverisë për vazhdimin e rrugës së dialogut me opozitën për zgjidhjen e ngërçit politik, por sipas tij, çështja e kutive është një problem mes opozitës dhe gjykatave. Në këtë mënyrë ai bëri të qartë se kërkesa e PS-së për hapjen e kutive mbetet një kërkesë e parealizueshme. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha e cilësoi një përpjekje serioze pozitive tryezën e Topit duke ofruar paralelisht angazhimin e mazhorancës për t’i dhënë situatës zgjidhjen më të mirë. Por kjo zgjidhje, sikundër tha Kryeministri, duhet të përfshijë vetëm çështje mes dy partive të mëdha dhe jo ato që lidhen me sistemin gjyqësor. Kryeministri bëri të ditur se mazhoranca është gati të ngrejë që këtë të enjte komisionin parlamentar për plotësimin e kërkesave të opozitës për zgjedhjet. Për sa i përket hapjes se kutive të votimit, Berisha tha se Rama nuk ka çështje të hapura me qeverinë, por me gjykatën. Kreu i qeverisë përsëriti sugjerimin drejtuar liderit socialist edhe në tryezën e 13 shkurtit, për listimin e të gjitha kërkesave dhe pohoi se në dialogun dypalësh nuk do ta trajtohen çështjet e vendimeve gjyqësore. “Opozita duke shprehur se jemi totalisht dakord me rezolutën e Këshillit të Evropës, opozita të marrë dhe të hartojë amendamentin për të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe ato të OSBE/ODIHR-it dhe t’i instalojë në Kodin Zgjedhor. Është një mënyrë që problemet që opozita ka me gjykatën t’i kthejë në probleme mes qeverisë dhe opozitës. S’mund të ndodhë. Vendimet e gjykatave opozita i ka me gjykatën. Ka qenë, është dhe do të jetë kështu përderisa gjykatat të jenë të pavarura. Të mos i bëjmë degë ekzekutivi dhe që s’mund të behën kurrë”, - theksoi z. Berisha. Kreu i mazhorancës vlerësoi si shumë pozitiv rolin e Presidentit Topi për të gjetur një zgjidhje për situatën politike të krijuar dhe siguroi vullnetin e mazhorancës për të gjetur një zgjidhje. “E kam garantuar opozitën se mbetem i hapur dhe në qoftë se nuk biem dakord, çështjet e gjykatave nuk janë midis nesh, por janë të secilit me gjykatën. Çështjet janë plotësisht të trajtueshme dhe të zgjidhshme”, - u shpreh z. Berisha.

Duke pranuar se bisedimet e tryezës janë konfidenciale, Kryeministri beri me dije se i ka kërkuar kreut të opozitës, z. Rama, që të listojë të gjitha problemet konstruktive. "E garantova Ramën se jemi të gatshëm që të enjten që vjen, të ngrihet komisioni parlamentar, ku opozita të ketë shumicën për të hetuar të gjitha problemet, por nuk do ta konsideroj çështje bilaterale, çështjen e vendimeve gjyqësore. Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë që palët i drejtohen asaj. Vendimi i gjykatave sapo të jepet, nuk është me problem ndërpalësh", - theksoi z. Berisha. Me këtë rast Berisha kujtoi vendimin e gjykatës për Fierin, ku PD-ja pretendoi se kishte fituar një mandat. Në informimin që bëri për deputetët e PD-së në mbledhjen e grupit, kreu i qeverisë theksoi se për problemet që mazhoranca ka pasur më Gjykatën Kushtetuese nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmën e mazhorancës. “Gjykatat kanë vendosur dhe do të vendosin sa herë palët t’u drejtohen gjykatave. Por vendimi i tyre sapo jepet, nuk është më problem mes palësh, por është i gjykatave. Unë nuk i kam kërkuar asnjë herë askurrkujt, të trajtoj problemet tona me gjykatën. Ju kini dëgjuar opozitën të citoj 17 vendime të gjykatës kundër qeverisë, nuk i kemi kërkuar asnjë herë opozitës të bëjë diçka kundër vendimeve që ka dhënë gjykata. Kjo nuk mund të ndodhë. Gjykatat nuk mund ti bëjnë degë e ekzekutivit”, u shpreh kreu i qeverisë, Berisha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›