E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi i ullishtave 150 milionë dollarë

05/02/2009  Tenderi ndërkombëtar

Një fond prej 150 milionë dollarë do të jetë në dispozicion të studimit për ullishtat. Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Sipas tij, do të zhvillohet një tender ndërkombëtar për këtë çështje, ku kompania e përzgjedhur do të bëjë studimin në fjalë. “Me vendimin e Qeverisë janë vënë në dispozicion 150 mijë dollarë dhe me tender të hapur do të përzgjidhet subjekti që do të kryejë studimin e plotë për të kapur objektivin e mbjelljes së 20 milionë rrënjë ullinj, i cili do të shtrihet së paku në krijimin e 50 mijë hektarë ullishte të reja,”- u shpreh dje ministri i Bujqësisë. Zoti Gjana sqaroi se studimi do të përcaktojë ngritjen e dy impianteve, një në Vlorë dhe një në Tiranë për prodhimin e materialit bazë që do të shërbejë për fidanë të varieteteve vendase. Sipas ministrit Gjana, do të përcaktohen edhe kultivarët vendas dhe ata të importit, në varësi të përshtatshmërisë së tyre në rajone të ndryshme bujqësore. “Studimi do të përcaktojë mbjelljet që do të kryhen nga fermerët që kanë tokë në pronësi dhe ato që do të mbillen nga sipërmarrja private në toka të lira, të refuzuara”, - theksoi Gjana. Studimi do të përfundojë brenda qershorit 2009, me qëllim që në programin buxhetor 2010 dhe në buxhetin afatmesëm të planifikohen fonde për realizimin e këtij projekti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›