E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama - Bush, takim për zgjidhjen e krizës

Situata ekonomike ka përshpejtuar takimin mes presidentit të ri dhe atij që po ikën. Stafi i Obamës: Bushi po na pengon

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, dhe presidenti i zgjedhur i vendit, Barak Obama, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë. Ky do të jetë takimi i parë kokë më kokë mes dy udhëheqësve, që pas zgjedhjeve të 4 nëntorit. Siç e kërkon tradita, presidenti i zgjedhur dhe gruaja e tij vizitojnë Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve. Normalisht ata presin disa javë para se ta bëjnë këtë. Por, kësaj here, takimi mes dy presidentëve zhvillohet pak ditë pas zgjedhjeve. Arsye për këtë është edhe fakti që tranzicioni politik ndodh në kohë lufte për Shtetet e Bashkuara, çka nuk ka ndodhur prej katër dekadash.

Tranzicioni politik po ndodh edhe në një moment krize ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe kjo kërkon vëmendje të menjëhershme. Presidenti i ardhshëm, Obama, ka theksuar se ekonomia do të jetë prioriteti i tij kryesor. "Unë nuk po i nënvlerësoj vështirësitë e jashtëzakonshme që na presin. Kemi marrë disa veprime dhe duhet të bëjmë akoma më shumë gjatë periudhës së tranzicionit politik dhe muajve në vazhdim”. Zoti Obama ka thënë se ai do të veprojë me, siç e quajti ai, shpejtësi të qëllimshme për të formuar kabinetin e tij. Këshilltarët e tij kanë theksuar se ai e kupton rëndësinë që emërimet të jenë të shpejta, por thonë gjithashtu se presidenti i ardhshëm do të sigurohet që do të ketë njerëzit më të mirë për postet në kabinetin e tij. Xhon Podesta drejton ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur Obama. Gjatë një interviste me televizionin “FOX News”, të dhënë dje, zoti Podesta tha se ekipi i zoti Obama po lëviz me shpejtësi për të krijuar ekipin ekonomik bazë, ekipin e sigurisë kombëtare dhe njoftimet për këto poste do të bëhen kur ato të jenë gati. Sipas zotit Podesta, administrata e ardhshme, po kështu, po sheh nga afër urdhrat ekzekutive të nënshkruara nga presidenti Bush, të cilat bien ndesh me pikëpamjet e zotit Obama.

"Ata po japin urdhra, si për shembull, për studimet me qeliza embrionale apo fusha të tjera. Siç e shihni, edhe sot, administrata e zotit Bush, po lëviz me agresivitet për të bërë gjëra kundër interesit të vendit”. Ai tha se këto urdhra ekzekutive mund të pësojnë ndryshime apo të anulohen lehtësisht nga administrata e re, pasi për këto ndryshime nuk ka nevojë për miratimin e Kongresit. Por, me gjithë mospajtimet për sa u përket çështjeve politike, presidenti Bush dhe presidenti i zgjedhur Obama, po bëjnë çmos për të theksuar vullnetin e tyre për bashkëpunim gjatë periudhës së tranzicionit. Zoti Bush ka urdhëruar stafin e tij që tranzicioni politik të jetë sa më i qetë. Ndërsa zoti Obama ka theksuar disa herë se Xhorxh Bush do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuara deri më 20 janar. Mbase për këtë, presidenti i ardhshëm nuk do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë ekonomik botëror, që zoti Bush do të drejtojë më 15 nëntor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›