Mishel Platini vjen sot në Tiranë, ja axhenda
Presidenti i organizmit më të lartë të futbollit europian, Mishel Platini, do të prekë sot, rreth orës 11:50, Shqipërinë, për një vizitë të programuar që dy muaj më parë. Kjo është hera e katërt që një emër i madh i futbollit, si Platini, viziton vendin tonë, por jo si më parë. I shoqëruar nga një delegacion prej pesë vetash, ai vjen në Tiranë për herë të parë me statusin e kreut të UEFA-s. Për ta pritur në zonën VIP të aeroportit "Nënë Tereza", do të jenë drejtuesit e FSHF-së, duke filluar nga presidenti Armand Duka, zv.presidenti Bujar Kasmi, sekretari i përgjithshëm, Arben Bici, dhe shefi i sektorit të jashtëm Denis Bastari. Pas akomodimit në hotel "Rogner" dhe pushimit për pak minuta në të, Platini do të drekojë me krerët e federatës në një nga restorantet luksoze të kryeqytetit. Më pas, axhenda e tij është e ngjeshur. Në orën 14:00 është programuar një takim me ministrin e Sporteve, Ylli Pango. Biseda me këtë të fundit mësohet se do të fokusohet te problemet e pazgjidhura në "Ligjin për Sportin". Ky takim pritet të zgjasë rreth 60 minuta, e më pas Mishel Platini dhe delegacioni i UEFA-s, bashkë me drejtuesit e FSHF-së, të shoqëruar nga anëtarët e komitetit ekzekutiv, do të nisen drejt Durrësit. Në këtë të fundit, pikërisht në stadiumin "Niko Dovana", do të bëhet inaugurimi i fushës. Tapeti i ri është pjesë e investimit të financuar nga UEFA, në bashkëpunim me FSHF-në, në projektin "Hat Trick 1", që konsiston në ndërtimin e fushave. Fillimisht ishte programuar që Platini të priste shiritin e fushës së Krujës, që është financuar po nga UEFA. Por përpara se ta bënte këtë kreu i UEFA-s, vendësit janë treguar të paduruar dhe e kanë përuruar vetë, madje për këtë është zhvilluar edhe një ndeshje midis Kastriotit dhe Partizanit. Gjithsesi, pas vizitës në Durrës, Platini do të ketë një takim të veçantë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, i programuar për në orën 18:00. Pas darkës zyrtare me njerëzit e futbollit, Platini mbyll ditën e parë të vizitës, për ta nisur nesër me fjalën hapëse në Asamblenë e Zakonshme të FSHF-së, që do të zhvillohet në Hotel "Tirana Internacional". Pas përshëndetjes në asamble, Platini mbyll vizitën mjaft domethënëse në Tiranë, duke pasur parasysh problemet që kaloi futbolli shqiptar me masën pezulluese të përjashtimit nga aktivitet e UEFA-s dhe FIFA-s.
Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës, i kryesuar nga presidenti Fadil Vokrri, do të jetë sot në Tiranë
A do të takohet Vokrri me Platininë?
Delegacioni prej tre anëtarësh i Federatës së Futbollit të Kosovës, me në krye presidentin Fadil Vokrri, do të jetë sot në Tiranë, me shpresë se atje do të takojë njeriun e parë të UEFA së, Mishel Platini. Vajtjen në kryeqytetin shqiptar të kryetarit të FFK së, Fadil Vokkri, nënkryetarit Agim Ademi dhe Bakir Burrit, anëtarit të bordit të FFK së, e kanë konfirmuar burime të afërta të FFK së, duke thënë se takimi eventual me Platininë mund edhe të mos realizohet fare. Sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se FFK ja para më shumë se një jave u ka shkruar krerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të programuar një takim me kryetarin e UEFA së, gjatë qëndrimit të tij dyditor në Tiranë.
"Delegacioni kosovar është nisur për në Tiranë, por pa pasur ndonjë konfirmim për t'u takuar me Platinin. Ka gati dhjetë ditë që FFK ja ka bërë një kërkesë zyrtare pranë FSHF së, që t'i mundësohet një takim me kreun UEFA së, mirëpo deri më tani nuk kemi përgjigje, as për po, e as për jo,"- tregon burimi brenda FFK së.
Mësohet se kreu i saj, para Platinisë, do të kërkojë pranimin e FFK së në UEFA, lejen për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare dhe njohjen e certifikatave të lojtarëve kosovarë të lëshuara nga FFK ja, kërkesa që tashmë janë refuzuar nga FIFA.
Nëse realizohet ky takim, atëherë ai do të jetë i pari zyrtar me presidentin e UEFA-s. Dosja e aplikimit të FFK së në UEFA dhe FIFA tashmë është proceduar dhe pritet që deri në mars të vitit të ardhshëm, kur mbahet dhe kongresi i UEFA së në Kopenhagen të Danimarkës, të dihet rreth pranimit të FFK së. Ndërkohë, kosovarët do të jenë në garë për rritur numrin e shteteve që do të njohin pavarësinë e shtetit më të ri në botë (aktualisht janë 52) për të kërkuar një ulëse në Kombet e Bashkuara, që është edhe kushti kryesor i pranimit të FFK së në UEFA. Nga konfederata evropiane, FIFA ka rregulla më të lehta, ku pranimi ka të bëjë vetëm me njohjen e shtetit nga komuniteti ndërkombëtar. Sidoqoftë, do të jetë vetë Komiteti Ekzekutiv i FIFA së që më 19 dhjetor në Tokio, do të diskutojë për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare miqësore të kombëtares së Kosovës, si hap i parë drejt njohjes së FFK së. Në takimin e fundit të KE-së së FIFA s, kjo kërkesë është refuzuar, por me insistimin e palës kosovare është futur në rend dite, që në mbrëmjen e radhës që do të mbahet në Japoni.