BE-ja: Duam masa të forta nga takimi i Uashingtonit
Udhëheqësit evropianë do të mblidhen të shtunën e ardhshme në Uashington me një sërë propozimesh konkrete dhe një afat kohor për reformimin e sistemit global financiar, ndërkohë që bota ndeshet me krizën më të rëndë financiare në dekada. Por nuk është e qartë se çfarë përgjigjeje do të marrin evropianët nga qeveria amerikane në tranzicion dhe ekonomi të tjera në zhvillim.
Krerët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian treguan unitet në takimin e nivelit të lartë, të premten në Bruksel, kur bënë thirrje për shtimin e autoritetet të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në mënyrë që të luajë një rol kyç në reformimin e sistemit financiar ndërkombëtar. Ndër propozimet që u përfshinë në deklaratën përfundimtare, udhëheqësit evropianë bënë thirrje edhe për një takim tjetër të nivelit të lartë me krerët e 20 ekonomive kryesore të botës, për të dalë me një projekt-plan për reforma financiare. Presidenti francez, Nikola Sarkozi, vendi i të cilët mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, tha se udhëheqësit politikë të Evropës po flasin me një zë të vetëm. Zoti Sarkozi tha se të gjitha vendet e BE-së janë të një mendjeje se ka nevojë për reforma në sistemin financiar dhe për vendime të guximshme në takimin e Uashingtonit.
Ashtu si pjesa më e madhe e ekonomive të botës, vendet evropiane janë goditur rëndë nga kriza financiare dhe ka prova gjithnjë e më bindëse se ky rajon po shkon drejt recesionit. Ashtu si udhëheqësit e tjerë evropianë, kryeministri britanik, Gordon Braun, tha se reformat financiare duhet të ndërmerren në nivel global, jo rajonal. "Mendoj se vendimet që do të marrim muajt e ardhshëm, do t’i japin një formë të re botës për të paktën 1 dekadë apo më shumë. Nuk është më koha për vendimet e përditshme, pasi jemi përballë një krize që kërkon zgjidhje globale",- tha Braun. Por udhëheqësit evropiane nuk bien dakord lidhur me reformat që duhen ndërmarrë. Franca kërkon masa më të forta kontrolli nga qeveria, por Britania dhe Gjermania i shohin me dyshim përpjekjet për ndërhyrje të mëdha qeveritare. Të njëjtin qëndrim ka edhe Republika Çeke, e cila merr presidencën e radhës në janar.
Megjithëse evropianët shprehen të zellshëm për të luajtur një rol udhëheqës në reformimin e institucioneve financiare botërore, në veçanti presidenti francez Sarkozi, analisti francez, Filip Moro Defarzh, nuk mendon se në takimin e Uashingtonit do të arrihet ndonjë përparim i madh. Së pari, vë në dukje ai, administratës së Presidentit Bush, së shpejti i përfundon mandati, prandaj nuk ka gjasa që të jetë dakord të mbështesë vendime madhore. Për më tepër nuk dihet ende se me ç’ide do të vijnë vende të tjera në takim, si Kina dhe India. Ka ende mospajtime edhe në Evropë, kur ngrihet ideja e krijimit të një sistemi të ri financiar: "Nikola Sarkozi i merr gjërat me ngut. Ai do të përmbushë sa më shumë reforma para se të përfundojë presidenca franceze e BE-së, më 31 dhjetor. Prandaj, për të, çdo ide e re është ide e mirë, por me sa mendoj unë, ideja e sistemit të ri financiar nuk bazohet në ndonjë vizion real". Ekspertët vënë në dukje se takimi i Uashingtonit synon të përcaktojë strategjitë afatgjata për të shmangur kriza financiare në të ardhmen. Gjetja e zgjidhjeve kërkon kohë dhe kërkon, mbi të gjitha, shumë më tepër angazhim sesa një takim i vetëm ndërkombëtar.
Mirel: BE-ja ka pranuar se vendosja e misionit EULEX në Kosovë, duhet të miratohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Ministrat e BE-së diskutojnë çështjen e Kosovës
Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes, të vendeve të Bashkimit Evropian, zhvilluan konsultime në Bruksel për dialogun me Rusinë dhe për misionin detar para brigjeve të Samolisë. Tema të tjera të takimit janë edhe gjendja delikate në Kongo dhe në Afganistan. Takimi është interesant edhe në lidhje me nxjerrjen e ndonjë deklarate mbi misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX.
Javën e kaluar, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian i ngarkuar me Ballkanin, Pierre Mirel, tha se BE-ja ka pranuar se vendosja e misionit EULEX në Kosovë, duhet të miratohet Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit planifikon ta trajtojë çështjen të martën e ardhshme. Zyrtarët serbë janë shprehur vazhdimisht, se Serbia do ta pranojë misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, vetëm në qoftë se merr garanci të caktuara si ajo se qëndrimi i këtij misioni do të ishte asnjanës dhe se ai nuk do të punonte për vënien në jetë të planit të ish-emisarit special të Kombeve të Bashkuara për Kosovën në vitin 2008, Marti Ahtisari. Deri tani, në lidhje me këtë nuk ka pasur një qëndrim të Brukselit zyrtar, ndërkohë që në një deklaratë të përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Kosovë, Piter Fajt, thuhet se deklaratat e zotit Mirel nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të Bashkimit Evropian. Nga politikanët kosovarë është theksuar vazhdimisht se misioni EULEX është i pranueshëm, vetëm në rast se ai do të punojë për zbatimin e planit Ahtisari dhe në përputhje me kushtetutën e re të Kosovës. Presidenti serb, Boris Tadiç, citohet prej agjencisë “Tanjug” me fjalët: "Gjendemi në fazën kur parakushtet tona kundrejt vendosjes së EULEX-it pranohen në deklarata prej zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, por, për sa kohë nuk marrim garanci me shkrim, nuk do të ketë marrëveshje."