Obama- Jintaos: Bashkëpunim në konfliktin atomik me Iranin
Presidenti amerikan, Barack Obama i ka bërë thirrje homologut të tij kinez, Hu Jintao për bashkëpunim në konfliktin atomik me Iranin. Siç ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, të dy politikanët në një bisedë telefonike që zgjati rreth një orë, trajtuan rëndësinë "e marrëdhënieve të mira bilaterale". Më parë qeveria në Pekin kishte bërë të ditur qëllimin e presidentit kinez për të marrë pjesë në një samit për sigurinë atomike në 12 dhe 13 prill në Uashington. SHBA përpiqet të fitojë Kinën për një qëndrim më të ashpër kundrejt Iranit, vend ky që dyshohet për ndërtimin e bombës atomike. Sipas përfaqësuesve nga qeveria amerikane, Pekini është dakord në kuadër të Këshillit të Sigurimit të diskutojë për sanksione më të ashpra kundër Iranit dhe se është e hapur për një rezolutë kundër Iranit. Kina vazhdon t'i qëndrojë besnike idesë për një zgjidhje paqësore të çështjes bërthamore të Iranit. Qëndrimin e Pekinit e rikonfirmoi edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka të drejtën e vetos ndaj çdo rezolute të këtij këshilli.