Obama: “SHBA, Kina dhe Rusia kundër Iranit bërthamor”

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka theksuar se Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara në qëllimin që Irani mos të përdorë programin e vet bërthamor për të zhvilluar armë.
Obama, duke folur në përmbyllje të Samitit për Bashkëpunim Ekonomik në Havai, ka thënë se zyrtarë nga administrata e tij do të konsultohen me Rusinë dhe Kinën, mbi mënyrën se si këto tri fuqi mund të bashkëpunojnë për t’u siguruar që Irani nuk do ta përdorë energjinë bërthamore për të krijuar armë.
Presidenti amerikan, i cili ka zhvilluar bisedime gjatë samitit me presidentin rus, Dimitri Medvedev dhe atë kinez, Hu Jintao, ka thënë se preferencë e tij është që të zgjidhet kjo çështje me dialog, por që nuk do të lejë “asnjë opsion jashtë tryezës”.