Obama-Hu, takim me premtime dhe pa arritje
Presidenti amerikan, Obama, që ndodhet ende në Kinë në kuadrin e vizitës së tij të parë zyrtare në Azi, i ka kërkuar Pekinit që të ndryshojë politikën në lidhje me monedhën. Kjo kërkesë i është bërë Presidentit kinez gjatë një takimi dypalësh me temë tregtinë mes të dyja vendeve. Ndërkohë, Presidenti kinez u është shmangur komenteve apo deklaratave në lidhje me çështjen e monedhës, që ka qenë gjithmonë një pikë konflikti për të dyja vendet. Por, duke iu referuar problemeve të tregtisë, Hu deklaroi se vendi i tij ka qenë vazhdimisht kundër proteksionizmit tregtar. Një nga prioritetet e Obamës gjatë vizitës së tij në Kinë, duke pasur parasysh edhe shkallën e lartë të papunësisë në vend prej 10.2% është nxitja e Kinës në drejtim të disbalancës së madhe tregtare mes të dyja vendeve dhe hapja e rrugës për shtimin e eksporteve amerikane. Uashingtoni thotë se një jen nën vlerë është problem për manifakturat amerikane dhe shkakton prishjen e balancave ekonomike globale. "Pata kënaqësinë të vija re vazhdimësinë e zotimit të mëparshëm që kanë bërë kinezët për t‘u orientuar drejt një monedhe që ndryshon në varësi të tregut", tha Obama para Presidentit kinez. Sipas tij, ndryshimi i Kinës ndaj fleksibilitetit të monedhës do të jetë një kontribut bazë në përpjekjet për të ribalancuar ekonominë. Ndërkaq, nuk dihet se si do të reagojë Pekini ndaj kësaj kërkese të amerikanëve. Megjithatë, të dy liderët janë zotuar për të mbajtur kontakte të vazhdueshme në lidhje me çështjet makroekonomike dhe ato të politikave financiare. Ndërkaq, të dyja vendet, që janë ekonomia e parë dhe e tretë në botë për nga shkalla e rritjes, kanë rënë në një mendje për sa i përket faktit që një rimëkëmbje e situatës në shkallë globale ka nevojë për një ribalancim. Për shumë analistë, heshtja e Kinës në lidhje me propozimin e Obamës për ta bërë të shkëmbyeshme monedhën është marrë si një qëndrim që ka të bëjë me mosdashjen e saj për t‘iu bindur kërkesave të ndërkombëtarëve në lidhje me çështje që janë të brendshme, edhe pse me ndikim ndërkombëtar. Kina, prej shumë kohësh është shumë e bindur në mosndryshimin e politikës së monedhës. Ndoshta pas largimit të Obamës mund të ketë disa ndryshime të vogla, por gjithsesi simbolike në lidhje me monedhën, ndryshime që nuk priten të jenë thelbësore. Ndërkaq, Obama dhe Presidenti kinez kanë biseduar edhe në lidhje për çështje të tjera që variojnë nga të drejtat e njeriut e deri tek ushtria, apo klima. Bëhet fjalë për çështje në të cilat të dyja vendet mund të japin zgjidhje shumë të rëndësishme. Sipas Presidentit Hu, sot bota është një vend me sfida të mëdha dhe mbi të gjitha bota është bërë një vend me shtete që kanë politika të pavarura. Vizita e Obamës në Kinë ka përfunduar dhe pavarësisht gjithçkaje, në një këndvështrim të përgjithshëm, ajo mund të quhet një lloj suksesi. Me ekonominë ende shumë të turbullt, reputacioni ekonomik i Amerikës është shumë në pikëpyetje, ndërkohë që Kina vazhdon të shënojë rritje dhe mbi të gjitha është vendi të cilit Amerika i ka 800 miliardë dollarë borxh. Në takimin e Pekinit, Obama erdhi më i dobët se të gjithë liderët e mëparshëm që kanë vizituar këtë vend pas Luftës së Dytë Botërore, por tentoi të ishte më praktik dhe më pragmatist në takimet që pati.