E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitet-student kontratë për rregullat e lojës

Në ditën ndërkombëtare të studentëve, një ide e re është hedhur nga ana e qeverive studentore dhe organizatave që i përfaqësojnë ata. Një tjetër risi që do të jetë edhe më e dobishme për studentët për sa u takon lehtësirave të jetesës së tyre është publikuar po dje. Dje organizata studentore "Studenti", Shoqata Europiane e Studentëve bashkë me Zyrën e Mbrojtjes së Konsumatorit hodhën dje për diskutim, si në universitetet publike ashtu edhe në ato private hartimin e një kontrate mes studentëve dhe universiteteve ku ata ndjekin leksionet.

Sipas organizatave studentore, nevojitet marrja e një vendimi mes palësh për nënshkrimin e një kontrate të drejtash dhe detyrimesh midis studentëve dhe universiteteve. Në këtë kontratë do të sanksionohen rregullat e "lojës" duke sjellë që mosmarrëveshjet të zgjidhen në rrugë juridike dhe jo në greva apo protesta. Të gjitha këto do të jenë pjesë e një kontrate.

Ideja do të diskutohet më gjerë në këshillat e universiteteve dhe më pas do të merret një vendim për të përkrahur një iniciativë të tillë apo jo.

Kampusi i ri

"Dua t‘ju siguroj se shumë shpejt universiteti ynë do të ketë kampusin e vetë madhështor të ngritur në mjediset e hyrjes së Qytetit Studenti. Kjo është thjesht një ndër mënyrat që do të paraqesë universiteti, për të krijuar kushtet e përshtatshme për studentët, në mënyrë që të bëjnë ndryshimin e nevojshëm në hapësirën universitare", tha dje rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. "Jeni pikërisht ju ata të cilët e sillni ndryshimin edhe në auditorë, jeni ju ata që mundësoni transformimin e arsimit të lartë në vend dhe të institucioneve ku studioni. Ne, drejtuesit e institucioneve dhe pedagogët nuk mund të shërbejmë për tjetër gjë veçse të lehtësojmë këtë përpjekje me të gjitha mënyrat. Për këtë arsye, edhe Universiteti i Tiranës do të ndërmarrë prej semestrit të ardhshëm një sërë ndryshimesh, ku më i rëndësishmi është zëri juaj, zëri i studentëve tanë, në thelbin e universitetit, mësimdhënie", iu drejtua rektori studentëve.

Dita e studentëve

Sipas tij, dita ndërkombëtare e studentëve është një datë që na kujton të gjithëve forcën që kanë studentët për transformimin e shoqërive tona. "Dita ndërkombëtare e studentëve është një ditë me rëndësi të veçantë; një rëndësi simbolike që çdo ditë rishfaqet në punën tonë të përditshme. Kjo ditë nuk shënon thjesht një rast kur studentët kanë shansin për të festuar, apo për të kujtuar një eveniment të së shkuarës; por shënjon në veçanti forcën që kanë studentët për të ndryshuar botën. Studentët mund ta ndryshojnë botën dhe kjo ditë na bën të gjithë që ta kujtojmë këtë fakt", tha Kule.

Dita ndërkombëtare e studentëve

Dita ndërkombëtare e studentëve festohet për herë të parë në vendin tonë. Ajo e ka origjinën në Çekosllovakinë e vitit 1939, kur forcat pushtuese naziste shtypën një protestë të studentëve të Universitetit të Pragës, duke ekzekutuar 9 studentë e duke dërguar 1200 të tjerë në kampe përqendrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›