Gjana: Mbështes vetëm Bujqësinë
Jemin Gjana vazhdon ende të ketë një ndjesi të veçantë për sektorin e bujqësisë, edhe pse nuk e mban më postin e ministrit që prej shtatorit. Pasi i dëgjoi dje të gjitha pretendimet e ministrive të ndryshme, kreu i komisionit parlamentar, Gjana, miratoi në parim vetëm kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë për shtesë fondi në të paktën 2 miliardë lekë. "Për të tjerët do të diskutojmë në parim, megjithatë mund të them se Ministria e Transporteve duhet ta kuptojë se nuk mund të marrë sa vitet e kaluara, pasi rruga Durrës-Kukës ka përfunduar", tha dje Gjana. Më herët, mes Ministrisë së Financave dhe asaj të Bujqësisë u zhvillua një debat për shifrën e buxhetit, e cila lëvizte te 3 miliardë lekësh. Pas diskutimit, palët e kuptuan që ishte thjesht një lapsus.