E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama-Kameron, plan të përbashkët për Lindjen

Gjatë vizitës në Londër, në ditën e tretë të turit të tij europian, Presidenti Barak Obama ka mbajtur një konferencë për shtyp me kryeministrin britanik, David Kameron, duke premtuar një plan të përbashkët në takimin e G8-ës për Pranverën Arabe. Presidenti Obama bëri thirrje për hapje të një kapitulli të ri, sa i përket partneritetit të gjatë mes SHBA-së dhe Britanisë, duke u shprehur se një dekadë e vështirë me sfida globale ekonomike, ushtarake dhe klimatike kërkon ta strukturojmë veten për të përmbushur kërkesat e një epoke të re. Kryeministri britanik e përgëzoi Obamën për vrasjen e Osama bin Ladenit, ndërsa lideri i Shtëpisë së Bardhë tha se Britania dhe SHBA-ja mbeten një gur i rëndësishëm i sigurisë globale. Presidenti amerikan ka kërkuar që izraelitët dhe palestinezët të rikthehen në bisedime. Ai tha se krijimi i shtetit palestinez nuk mund të bëhet vetëm me një votë në OKB, por me marrëveshjen mes dy vendeve. Obama ka prekur edhe çështjen e Libisë, duke deklaruar se impakti i operacioneve ajrore të NATO-s në këtë vend është i kufizuar dhe u shpreh njëzëri me kryeministrin britanik kundër ndërhyrjes me forca tokësore. Obama dhe Kameron përsëriten thirrjet për largimin e Muamar Gedafit nga pushteti. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe çdo përpjekje të atyre që duan tu mbyllin gojën njerëzve të etur për liri dhe dinjitet, tha Obama. Ai shtoi se Kjo është një nga arsyet kryesore përse po punojmë me aleatët tanë të NATO-s për mbrojtjen e popullit libian dhe pse do ti vazhdojmë sulmet tona mbi forcat e Gedafit, derisa ata të ndalojnë sulmet e tyre mbi civilët e pafajshëm. Në Downing Street, dy liderët kishin diskutuar më parë mbi një sërë çështjesh, përfshirë zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ekonominë globale. David Kameron shprehu publikisht vlerësimin për Presidentin amerikan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›