E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, policia largohet nga KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dje vendimin për të hequr forcat e Rendit nga ambientet e jashtme të këtij institucioni.Vendimi u mor vetëm me katër votat e anëtarëve të maxhorancës, ndërkohë që Dëshira Subashi dhe Artan Laze u larguan përpara se të hidhej në votim. Sipas dy përfaqësuesve të opozitës, mungesa e tyre në këtë vendimmarrje erdhi pasi ata nuk ishin të pranishëm në vendimin e parë për të thirrur forcat e Rendit. Vendimi për të kërkuar praninë e policisë u miratua 8 ditë më parë, kur u ndërpre një mbledhje e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas pjesëmarrjes së të gjithë Grupit Parlamentar socialist në mbledhjen e këtij komisioni. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimin Nr. 653, të datës 17.05.2011, vendosi të thërrasë forcat e Policisë së Shtetit për të rivendosur rendin dhe qetësinë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të KQZ-së. Me rivendosjen e rendit në këto ambiente dhe ecurinë normale të aktivitetit të institucionit, KQZ-ja çmon që nuk është e nevojshme prezenca e mëtejshme e forcave të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme dhe të jashtme të KQZ-së. Për këtë arsye, KQZ vendosi tu kërkojë forcave të Policisë së Shtetit largimin nga ambientet e brendshme dhe të jashtme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet në vendimin e miratuar dje.
Shpërblimi nga qeveria
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, me propozim të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, u vendos të shpërblehen të gjithë efektivat e policisë që kanë qëndruar për rreth 8 ditë në ruajtje të ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rreth 1 mijë forca të Rendit u angazhuan në mbrojtjen e këtij institucioni gjatë ditëve kur numëroheshin votat e hedhura në kutinë e gabuar. Sipas këtij vendimi, të gjithë efektivat, policia e Tiranës, FNSH-ja, RENEA, Garda e Republikës dhe SHKB-ja, do të përfitojnë nga 32 mijë lekë të reja. Gjithashtu, është vendosur që të shpërblehen për çdo orë shtesë ata punonjës të Policisë që kan렠 qëndruar në krye të detyrës. Efekti financiar për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, sipas listës emërore shtesë bashkëlidhur këtij vendimi, do të përballohet nga buxheti i vitit 2011, programi Policia e Shtetit, miratuar për Ministrinë e Brendshme, thuhet në vendimin e marrë dje nga Këshilli i Ministrave.

1 mijë policë
Në ruajtjen e ambienteve të jashtme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë gjashtë ditëve, derisa doli rezultati për Bashkinë e Tiranës, u angazhuan rreth 1 mijë policë të Tiranës, FNSH-së, RENEA-s, Gardës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

32 mijë lekë
Sipas vendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, secili prej efektivave të Policisë do të përfitojë një shpërblim prej 32 mijë lekësh për ditët kur ka qëndruar në krye të detyrës. Gjithashtu, do të paguhen edhe orët shtesë për ruajtjen e KQZ-së.

8 ditë
Në mbledhjen e 17 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të thërrasë në mbrojtje
forcat e Rendit, pas mbledhjes së militantëve të saj përpara kësaj godine. Forcat e Rendit qëndruan për 8 ditë në krye të detyrës përpara vendimit të djeshëm

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›