Serbia e Rumania bojkotojnë samitin me Obamën për Kosovën
Presidenca serbe konfirmoi dje se Boris Tadiç nuk do të marrë pjesë në samitin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në Varshavë, për shkak të pjesëmarrjes së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.Në samitin e Varshavës, i cili do të mbahet më 27 dhe 28 maj, do të jetë i pranishëm edhe Presidenti amerikan, Barak Obama, i cili me këtë samit mbyll turin e tij europian. Kosova në takim do të prezantohet e barabartë me pjesëtarët e tjerë. Agjencitë polake të lajmeve kanë raportuar se Presidenti i Rumanisë, Serbisë dhe Sllovakisë planifikojnë ta bojkotojnë ftesën e presidentit polak, Bronislav Komorovski, pasi këto vende nuk e kanë njohur Kosovën dhe nuk pranojnë të ulen si të barabartë me Presidenten Jahjaga. Serbia i bojkoton rregullisht të gjitha takimet ku janë të ftuar zyrtarë të Kosovës dhe ku protokolli kërkon vendosjen e simboleve shtetërore dhe titujve. Por vallen ia mban edhe Rumania. Rumania nuk do të marrë pjesë në samitin rajonal, edhe pse merr pjesë presidenti Barak Obama, sepse Kosova është e ftuar në këtë ngjarje, konfirmoi dje kabineti i Presidentit Trajan Basesku. Ndërsa vendimi i Serbisë është deri diku i kuptueshëm, lajmi se Presidenti rumun eviton një takim me Obamën, vetëm sepse në të është e ftuar edhe Presidentja e Kosovës, ka bërë bujë. Një vendim të tillë e kishte paralajmëruar edhe Sllovakia, por një ndryshim protokolli me organizuesit e mundësoi pjesëmarrjen e Presidentit Ivan Gasparoviç. Ai nuk do ta bojkotojë samitin, pasi ka marrë garanci nga Polonia se nuk do të vihet në dyshim refuzimi i Sllovakisë për ta njohur Kosovën. Zëdhënësi i presidentit sllovak, Marek Trubac, tha se qëndrimi ynë është që atje të mos ketë simbole, stema shtetërore, flamuj apo shenja me siglën Republika e Kosovës. Gjithashtu, të mos ketë deklarata, në të cilat, përpos nënshkrime të presidentëve të tjerrë, të qëndrojë edhe nënshkrimi i Presidentes së përkohshme të Kosovës, tha thënë Trubac për agjencinë sllovake TASR.
Konfirmimi
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të 21 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në Varshavë, më 27 dhe 28 maj 2011. Zonja Jahjaga do të marrë pjesë aktive në diskutim në të gjitha sesionet e këtij Samiti, ku presidentët do të jenë të ulur rreth tavolinës sipas radhës, sipas kohës së zgjedhjes së tyre në këto poste.
Tematika
Liderët e vendeve pjesëmarrëse do të diskutojnë për sfidat e demokracisë në vendet e tyre, bashkëpunimin bilateral dhe multilateral dhe në tërësi për procesin e integrimit. Në një seancë pune, që udhëhiqet nga Presidenti i SHBA-së, liderët do të bisedojnë për lëvizjet popullore në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore, për sfidat dhe për kahet e tyre, si dhe për ndikimin që kanë në vendet e tjera.