Obama: Karzai të shkruajë kapitull të ri për Afganistanin
Presidenti amerikan Barack Obama i ka bërë thirrje liderit afgan hamid karzai që të shkruajë një kapitull të ri në qeverisjen e Afganistanit, pasi u shpall president i vendit. Duke e uruar homologun e tij afgan në rizgjedhjen në postin e presidentit, ai i ka kërkuar atij të luftojë korrupsionin dhe me reformat e tij të hapë një kapitull të ri në historinë e Afganistanit. "Unë e kam inkurajuar Presidentin Karzai se populli amerikan dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare dëshiron të vazhdojë partneritetin me qeverinë e tij, me qëllim prosperitetin dhe vendosjen e sigurisë në Afganistan, por gjithashtu i kam thënë se ka ardhur koha për fillimin e një kapitulli të ri në këtë vend", theksoi Obama. Komisioni i pavarur zgjedhor e shpalli Karzain fitues të zgjedhjeve presidenciale, pasi sfidanti i tij, lideri i opozitës Abdullah Abdulla, hoqi dorë nga balotazhi i parashikuar të zhvillohej në shtatë nëntor. Karzai fitoi një mandat tjetër 5 vjeçar sepse zyrtarët e zgjedhjeve vendosën të mos zhvillohej raundi i dytë i zgjedhjeve. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs tha se Obama është lehtësuar pasi përfundoi procesi i ndërlikuar i zgjedhjeve në Afganistan . Obama i ka bërë thirrje Karzait që të bëjë përmirësime në qeverisje dhe se këto këto përmirësime do të mateshin me vepra, e jo me fjalë. Ndërkaq vetë presidenti afgan, një ditë pasi u shpall fitues i zgjedhjeve tha se fitorja ishte e popullit ndërsa i ka bërë apel talebanëve që të dorëzojnë armët dhe të kontribuojnë në procesin e paqes.