E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama-Merkel

Autori i Lajmit: red.
"Kjo është një mundësi për të hedhur themelet e reja të NATO-s”, - u shpreh Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një konference të përbashkët shtypi me Presidentin amerikan, Barak Obama, në Baden- Baden, Gjermani. Obama deklaroi se kishte besim që Gjermania "do të japë kontributin e saj për çështjen e Afganistanit. "Nëse NATO bëhet gjithçka, atëherë do të kthehet në asgjë. Bëhet fjalë për të modeluar detyrat e NATO-s për shekullin XXI",- theksoi Obama në një konferencë të përbashkët shtypi me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke folur për të ardhmen e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Tri dokumentet kryesore të Aleancës

Ndërsa pritet që 28 liderët e NATO-s të mbërrijnë në Strasburg për të marrë pjesë në samitin për 60-vjetorin e Aleancës, diplomatët vazhdojnë ende të punojnë për përgatitjen e tri dokumenteve që do të dalin në përfundim të samitit. Dje pasdite u mbajt një mbledhje informale e paparashikuar e Këshillit të Atlantikut Verior, organizmi politik më i rëndësishëm i NATO-s, ku u diskutua për çështjet që vazhdojnë të jenë akoma të pezulluara. Nga përfundimi i samitit pritet që të dalin tri dokumente: deklarata përfundimtare (40-50 paragrafë) që flet në përgjithësi për çështjet e trajtuara; një deklaratë mbi prioritetet e së ardhmes së Afganistanit, ku do të përqendrohen në veçanti mbi përforcimet ushtarake atje me rastin e zgjedhjeve presidenciale dhe punën për të formuar forcat e sigurisë vendase; gjithashtu edhe një deklaratë mbi sigurinë atlantike (Das). Sipas disa burimeve, ky i fundit është dokumenti më i rëndësishëm, sepse në disa dhjetëra paragrafë (1 faqe e gjysmë) do të përcaktojë prioritetet e ardhshme të Aleancës në shekullin XXI. Gjithashtu, në këtë dokument do të flitet për zgjerimin e NATO-s, marrëdhëniet me Rusinë, për nenin 5 (që detyron mbrojtjen e aleatëve), për çarmatimin, marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, kërcënimet e jashtme dhe për Afganistanin. Ky dokument do të shërbejë si bazë për të modeluar reformën strategjike të NATO-s, detyrë të cilën Aleanca do t ua besojë ekspertëve të jashtëm. "Një burokraci nuk mund të reformojë vetveten",- u shpreh një diplomat. Puna mbi reformën e brendshme kërkon kohë, nga 12 deri në 18 muaj. Propozimi përfundimtar do të jetë në qendër të diskutimeve në samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të zhvillohet në Portugali në vitin 2010 ose 2011.
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›