E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: “Mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Samiti i Strasburg-Këlnit

Presidenti amerikan, Barak Obama, deklaroi se mirëpret Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një mbrojtje të fortë evropiane, prandaj edhe kemi mirëpritur anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO",- ka deklaruar presidenti amerikan. Presidenti amerikan tha se ishte për një Evropë të fortë, "me kapacitete ushtarake të forcuara. Nuk kërkojmë të jemi padronët e Evropës, kërkojmë të jemi partnerë me Evropën. Dëshirojmë të kemi aleatë të fortë. Dëshirojmë që Evropa të ketë kapacitete ushtarake të forcuara",- siguroi Obama, në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin francez, Nikolas Sarkozi, në përfundim të një takimi dypalësh. "Sa më të aftë të jenë evropianët në fushën e mbrojtjes, aq më tepër ne mund të veprojmë së bashku ndaj sfidave me të cilat duhet të përballemi së bashku", - deklaroi ai. Sipas Obamës, për shkak të afërsisë së bazave të saj të prapavijës në Afganistan dhe në Pakistan, "ka më tepër mundësi që Al-Kaida të fillojë një sulm të rëndë terrorist në Evropë se sa në Shtetet e Bashkuara. E mbështesim plotësisht strategjinë amerikane në Afganistan". Ndërkohë pritet sot në mëngjes, presidenti amerikan, Barak Obama, në mënyrë ceremoniale, do t u dorëzojë kryetarëve të Shqipërisë dhe Kroacisë kartën e Atlantikut të Veriut. NATO u mblodh dje për të festuar 60-vjetorin e krijimit të saj. Mes së shkuarës dhe së tashmes, një peshë të rëndësishme mori edhe hyrja në këtë familje të madhe e Shqipërisë dhe Kroacisë, dy vende që kanë përjetuar dramën e Ballkanit Perëndimor. Pra rreth tavolinës së rrumbullakët nuk kanë qenë më 26, por 28 krerë shtetesh dhe qeverish. Shqipëria përfaqësohet me delegacionin e saj të kryesuar nga dy krerët më të lartë, presidenti Topi dhe kryeministri Berisha. Takimi, në të cilin pritet të merren vendime të rëndësishme për vetë Aleancën, Afganistanin, por dhe marrëdhëniet me Rusinë, është zhvilluar në trysninë e protestave anti-NATO, të cilat kanë nisur dhe kanë provokuar edhe përplasje me policinë në jug të Strasburgut, ku janë arrestuar rreth 200 protestues. Për herë të parë në këtë samit do të jetë i pranishëm edhe Presidenti amerikan, Barak Obama. Ceremonia nisi dje në qytetin gjerman Baden Baden dhe Këln për të kaluar sot në Strasburg të Francës. Në mëngjesin e ditës së sotme kryeministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane të shoqëruar nga kancelarja Angela Merkel, e cila në shenjë paqeje do të shtrëngojë duart me Presidentin francez, Nikolas Sarkozi, duke shënuar kështu simbolikisht, vlerën e paktit të paqes mes dy vendeve. Në këtë ditë të parë të Samitit të Aleancës Veriatlantike ka dominuar Afganistani, marrëdhëniet SHBA-Rusi, por edhe rikthimi i plotë i Francës në Nato. Vendosja rreth tavolinës në të cilën do të ulen krerët e qeverive bëhet në bazë të alfabetit. Gjithashtu, pjesë e bisedimeve të djeshme kanë qenë edhe emërimi i Sekretarit të Ri të Përgjithshëm në vend të holandezit, Jap de Hop Shefer, mandati i të cilit përfundon më 31 korrik. Ndërsa ngritja e flamujve e të dy vendeve do të bëhet gjatë një ceremonie të veçantë më 7 prill.

“Ngritja e flamujve të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kroacisë, do të bëhet gjatë një ceremonie të veçantë më 7 prill”
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›