E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, kryetar i delegacionit, mban fjalën përshëndetëse

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Shqipëria në NATO

Sot në Strasburg të Francës Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe Kryeministri, Sali Berisha, do të ulen për herë të parë në historinë e kombit shqiptar si anëtarë me të drejta të plota në tryezën e rrumbullakët të Këshillit Suprem të NATO-s, ku do të mbajnë dhe fjalën e tyre përshëndetëse përballë anëtarëve të tjerë të Aleancës. Presidenti dhe Kryeministri u nisën dje në mesditë për të marrë pjesë në Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), që zhvillohet në datat 3-4 prill në Strasburg-Kehl. Burime zyrtare të Kryeministrisë bëjnë të ditur se në datën 4 prill, Kryeministri do të marrë pjesë në seancën jubilare të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Pallatin e Muzikës dhe Kongreseve në Strasburg, që mbahet me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Si presidenti Bamir Topi, por edhe kryeministri Berisha do të përshëndesin mbledhjen e Këshillit dhe do të shprehin mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen në rrugën e tyre drejt përmbushjes së ëndrrës së tyre kombëtare, anëtarësimin në NATO. Në orën 12:15 të mesditës së djeshme, delegacioni zyrtar shqiptar është nisur nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” drejt Samitit. Delegacioni kryesohej nga presidenti Bamir Topi, e në përbërje të tij janë rreth 30 anëtarë, mes të cilëve kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes, Oketa, ai i Jashtëm, Basha, si dhe krerët e grupeve kuvendore të Partisë Socialiste dhe Demokratike, Leskaj dhe Patozi. Ceremonia e çeljes së samitit ka filluar dje, në orën 17.30, ndërsa në 4 prill fillojnë dhe punimet zyrtare të tij. Fillimi i punimeve ka nisur me fjalën përshëndetëse të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Shefer. Dita e dytë e punimeve të këtij samiti (4 prill), do të nisë në orën 08.45 me ceremoninë e kalimit të urës mbi lumin Ren, dhe do të vijojë me takimin e liderëve me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe më pas me presidentin Nikolas Sarkozi. Më pas do të bëhet nisja për në Pallatin e Kongreseve, ku do të zhvillohet seanca plenare e Këshillit të Aleancës dhe ku pritet të përshëndesin personalitetet më të larta të vendit, Kancelarja gjermane Merkel, Presidenti francez, Sarkozi dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer. Rreth orës 15:00, kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një konferencë për shtyp, ku do të marrin pjesë të gjitha mediat e akredituara pranë Samitit të NATO-s. Në një prononcim për mediat dje, Berisha u shpreh duke thënë: “Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë vendin tim”. Me këto fjalë, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka përshëndetur hyrjen e Shqipërisë NATO, siç e quajti ai, aleancën më të fuqishme ushtarake të të gjitha kohërave. “Nga tani liria e Shqipërisë, e ardhmja e Shqipërisë, do të ketë sigurinë, do të ketë mbrojtjen, do të ketë sigurinë e Aleancës më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave. Zoti bekoftë NATO-n! Zoti bekoftë vendin tim!” Si e sheh rinia shqiptare këtë ditë historike, që i jep Shqipërisë vendin e anëtarit të denjë, me të drejta të plota në aleancën veriatlantike. Të rinjtë shqiptarë e cilësojnë si një hap të madh drejt Perëndimit e si një mundësi për të ecur të sigurt drejt zhvillimit. E gjithë Tirana është mbushur me flamujt shqiptarë e të NATO-s për t i dhënë mirëseardhjen ditës në të cilën Shqipëria çel një kapitull të ri në historinë e saj. E ndryshme paraqitet situata në Kroaci. Vendi duket si në një ditë normale. Asgjë e jashtëzakonshme, asnjë flamur, thjesht qetësi.

Topi dhe Berisha, në një tavolinë me dy fjalime

Në sesionin e së shtunës, ku Shqipëria do të ulet si anëtare, do të jenë rreth tryezës së NATO-s presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha. Mësohet se, sipas protokollit, fjalën e përshëndetjes e ka Presidenti i Republikës, por sipas burimeve qeveritare edhe kreu i ekzekutivit do të mbajë një fjalim përpara anëtarëve të NATO-s, siç ndodhi edhe në Samitin e Bukureshtit një vit më parë. Autoritetet shqiptare kanë bërë të qartë se dëshirojnë t u përgjigjen shqetësimeve të NATO-s, duke konfirmuar angazhimin e bërë publik nga kryeministri Berisha gjatë takimit në Uashingtion me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, për të rritur praninë në Afganistan edhe me një tjetër kompani. Aktualisht, Shqipëria ka atje 135 ushtarakë të saj në Kabul dhe Herat.
Ky lajm është publikuar: 04/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›