Obama: “Mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO”
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Deklaratën e tij, shefi i Shtëpisë së Bardhë e bëri nga Strasburgu, ku në darkë do të nisë Samiti që do të shënojë dhe 60-vjetorin e NATO-s. “SHBA-të mbështesin një mbrojtje të fortë europiane, prandaj dhe e kemi mirëpritur anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO”, - ka pohuar Obama. Ky është samiti i parë ku Shqipëria dhe Kroacia marrin pjesë si vende me të drejta të plota të NATO-s.
Mëngjesin e sotëm presidenti Obama do t’i dorëzojë homologut shqiptar dhe atij kroat Kartën e Atlantikut të Veriut, që shënon në mënyrë simbolike anëtarësimin e plotë të këtyre dy shteteve në Aleancë.
Festimet
Gjatë ditës së djeshme, kryetarë të shteteve të ndryshme të botës apo kryeministra dhe delegacione zyrtare kanë marrë pjesë në ditën e parë të punimeve të Samitit të NATO-s, që janë zhvilluar në Kurhaus në Baden-Baden. Presidenti amerikan, Barak Obama, shpalosi dje vullnetin për të ripërtërirë partneritetin me Europën dhe për të përballuar me sukses sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes për paqen, sigurinë, prosperitetin ekonomik dhe ndryshimet klimaterike. Në konferencën për shtyp, që Obama dha pas takimit kokë më kokë me presidentin francez Sarkozi, ai foli për përgjegjësi dhe perspektiva të përbashkëta të SHBA-ve dhe të Europës. Vullneti amerikan për bashkëpunim u prit me entuziazëm dhe u duartrokit gjatë. “Ne kërkojmë aleatë të fortë. Do të dëshironim ta shikonim Europën të ketë aftësi më të mëdha mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë të jemi padronë të Europës, por partnerë; sfidat nuk mund t'i përballojë as Amerika, as Europa vetëm. Jam këtu, në Strasburg, për të ripërtërirë partneritetin mes nesh”, - tha Obama, duke përshëndetur në tri gjuhët kryesore të Europës; anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Për presidentin Obama garantimi i paqes dhe sigurisë në botë pas rënies së Murit të Berlinit kërkon një aleancë më të fortë dhe më të gjerë, gjë që u konkretizua, vuri ai në dukje, me anëtarësimin e mirëpritur të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. “Kur SHBA-të dhe miqtë e tyre veprojnë së bashku, perspektivat për paqe dhe prosperitet rriten në të gjithë botën”, - e përforcoi Obama mesazhin e rritjes së partneritetit SHBA-Europë.
Presidenti Obama është pritur dje në Baden-Baden me nderime ushtarake nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Gjatë mbrëmjes së djeshme kancelarja gjermane Merkel shtroi në Kurhaus në Baden-Baden darkën zyrtare të festimit të 60-vjetorit të NATO-s, ku marrin pjesë të 28-të vendet anëtare të NATO-s, mes tyre edhe dy anëtaret e reja, Shqipëria dhe Kroacia. Ndërsa sot në mëngjes kryeministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane të shoqëruar nga kancelarja Angela Merkel, për t’u pritur në pasarelën e dy brigjeve në urën që lidh Gjermaninë e Francën, nga presidenti francez Nikolas Sarkozi. Një shtrëngim duarsh mes dy udhëheqësve, që simbolizon paqen në Europë mes dy vendeve. Punimet e Samitit, veç zgjerimit me dy anëtarë të rinj, do të përqendrohen në forcimin e Aleancës dhe sfidat e reja të saj.
Delegacioni shqiptar
Në darkën e shtruar nga Merkel e ka marrë fjalën dhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i cili, ndërsa ka falënderuar shtetet anëtare të Aleancës për ftesën e bërë Shqipërisë, e ka cilësuar anëtarësimin një moment të veçantë historik për vendin tonë. Topi ka theksuar se anëtarësimi në NATO rrit përgjegjësitë e Shqipërisë në përmbushje të standardeve demokratike. Shqipëria përfaqësohet në Samitin e 60-vjetorit të NATO-s me një delegacion zyrtar të gjerë, ku bëjnë pjesë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, drejtues të tjerë të lartë të institucioneve shtetërore shqiptare dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të maxhorancës dhe të opozitës.
4 Prill 2009