Bizneset, ndryshon Komisioni i Apelimit të Gjobave
Jonida Tashi
Riformatohet Komisioni i Apelimit të Gjobave, i ngritur pak kohë më parë në Inspektoratin Shtetëror të Punës. Burime zyrtare nga ky inspektorat bëjnë të ditur se me një urdhër të ministrit të Punës, Komisioni për Apelimin e Gjobave është konceptuar në një strukturë të re, ku katër anëtarë janë nga Ministria e Punës dhe një anëtar (jurist) nga Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP). Tashmë në krye të Komisionit të rikonceptuar është drejtori i Përgjithshëm i Hartimit të Politikave në Ministrinë e Punës, Gjergj Leka. Më parë kryetar i Komisionit të Apelimit ka qenë inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës. Komisioni Qendror i Apelimit të Gjobave vihet në lëvizje me kërkesën e palëve të interesuara, për ankimimin e vendimeve të Komisionit Rajonal të Apelimit të Gjobave.
Dokumentet
Kalimi i Komisionit të Apelimit të Gjobave nga Inspektorati i Punës pranë Ministrisë së Punës ka ndryshuar edhe pikën e kontaktit për paraqitjen e dokumenteve nga subjektet. Tashmë të gjitha subjektet që duan të rishikojnë gjobat e marra mund t’i depozitojnë dokumentet në sekretariatin që funksionon pranë Komisionit në Ministrinë e Punës. Burime nga Inspektorati i Punës shpjegojnë se tashmë pranohen dokumente nga secila palë që të vërtetojë pretendimin që ato kanë dhe vendimet jepen hapur. Sakaq, për rregullimin e marrëdhënieve juridike të komisioneve, ministri i Punës ka nxjerrë një rregullore të funksionimit për të drejtat dhe detyrimet. Efekti i këtij komisioni është se procedurat janë më transparente, pasi subjekti merr pjesë e dëgjohet për pretendimet që ka, procedurë kjo që nuk është zbatuar më parë.
Ankesat
Subjekti i gjobitur ka të drejtë të bëjë kërkesë ankimore kundër vendimit të gjobës së vënë nga inspektori i punës në Komisionin rajonal të Apelimit të Gjobave brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit për dënim me gjobë. Gjithashtu, subjekti ankimohet kundër vendimit të Komisionit rajonal në Komisionin Qendror të Gjobave brenda 30 ditësh nga marrja e njoftimit për vendimin e Komisionit Rajonal. Komisioni Rajonal shprehet për marrjen e vendimit brenda 10 ditëve, ndërsa Komisioni Qendror shprehet brenda 20 ditëve nga marrja e njoftimit.
Viti akademik 2009-2010, Turqia akordon 14 bursa për studentët shqiptarë
Qeveria turke ofron bursa për studime pasuniversitare dhe për kursin veror të gjuhës turke, për vitin akademik 2009-2010. Në kuadrin e marrëveshjes dypalëshe, qeveria e Republikës së Turqisë i ka akorduar qeverisë së Republikës të Shqipërisë 14 bursa për vitin akademik 2009-2010, të ndara si më poshtë: katër bursa kërkimore (8-mujore); pesë bursa për master ose për doktoraturë; pesë bursa për kursin veror të gjuhës dhe të kulturës turke. Për bursat e kursit të verës të gjuhës dhe letërsisë turke duhet të aplikojnë vetëm studentët e vitit të katërt të turkologjisë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Për një informacion më të hollësishëm për bursat e studimit pasuniversitar dhe për bursat e kursit veror të gjuhës turke të ofruara nga qeveria Turke, të interesuarit mund t’i referohen adresës së mëposhtme në web-site: http://digm.meb.gov.tr/. Afati i fundit për pranimin e dokumenteve në sektorin e marrëdhënieve me jashtë në MASH për kursin e verës do të jetë data 10 prill 2009 dhe për bursat e tjera të studimit pasuniversitar do të jetë data 22 maj 2009.
Dokumentet për studimet pasuniversitare
Kandidatët për studime pasuniversitare të paraqesin në sektorin e marrëdhënieve me jashtë në MASH këto dokumente:
1. Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë.
2. Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar.
3. Listën e notave, fotokopjen e noterizuar.
4. Dy rekomandime.
5. Programin e studimit.
6. Raportin mjekësor për aftësi studimesh.
7. Raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të SIDA ose të Hepatitit C.
8. Certifikatën e lindjes me fotografi.
9. Tri fotografi.
Dokumentet për kursin e verës
Kandidatët për kursin e verës duhet të paraqesin në sektorin e marrëdhënieve me jashtë në MASH këto dokumente:
1. Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it.
2. Dëshmi për njohjen e gjuhës turke.
3. Raportin mjekësor për aftësi studimesh.
4. Raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të SIDA-s ose të Hepatitit C.
5. Certifikatën e lindjes me fotografi.
6. Tri fotografi.
Ndarja e 14 bursave që ofrohen
Katër bursa kërkimore (8-mujore)
Pesë bursa për master ose për doktoraturë
Pesë bursa për kursin veror të gjuhës dhe të kulturës turke
4 Prill 2009