E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset rëndë 35-vjeçari, në kërkim autori

Autori i Lajmit: red.
Një ngjarje e ndodhur në Vaun e Dejës për pak sa nuk ka degjeneruar me një viktimë. Dy persona janë grindur me njeri-tjetrin deri sa janë plagosur rëndë. 35-vjeçari Zef Prroni nga fshati Naraç i Vaut të Dejës është gjendur nga forcat e policisë i plagosur me armë zjarri automatike. Sipas të dhënave, i plagosuri është dërguar menjëherë në spitalin rajonal në Shkodër dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nga veprimet e para ai ka mundur të identifikojë autorin e ngjarjes, i cili figuron të jetë sipas provave të para hetimore 35-vjeçari Gjergj Lazri, lindur dhe banues në fshatin Nënshat të komunës Hajmel. Nga ana e policisë, po punohet për kapjen e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Policia ka ushtruar kontroll në banesën e personit të dyshuar si autor, por ende nuk ka mundur ta arrestojë atë. Një grup hetimi është ngritur për të zbardhur motivin e plotë të ngjarjes. Sipas të dhënave të deritanishme, dy personat janë grindur edhe herë tjetër por sherri nuk ka përfunduar deri në këtë fazë. Policia është lajmëruar nga banorët e zonës që në momentin që janë dëgjuar të shtëna arme. Kanë qenë punonjësit e policisë ata që i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e kanë transportuar atë për në spital.
Ky lajm është publikuar: 02/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›