E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama: Nuk kam marrë vendim për trupat në Afganistan

Presidenti amerikan, Barak Obama, thotë se vendimin nëse a do të dërgojë më tepër trupa në Afganistan, do ta marrë pasi të jetë i sigurtë se çfarë strategjie do të zhvillojnë Shtetet e Bashkuara në rajon. Në vijim, gjatë një interviste të dhënë për rrjetin televiziv, "CBS", ai tha se për këtë çështje do t'i parashtrojë pyetje të ashpra ekipit të tij për siguri kombëtare. Këto komente u bënë pasi në shtyp u publikua një dokument i fshehtë i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në të cilin komandanti kryesor amerikan në Afganistan, gjenerali Stanley McChrystal ka tërhequr vërejtjen se pa trupa shtesë, lufta e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër kryengritësve në Afganistan, ka gjasa të dështojë. Aktualisht, presidenti amerikan, këtë vit ka urdhëruar dërgimin e 21 mijë trupave shtesë në Afganistan, kështu që tashmë numri i forcave amerikane në këtë vend, ka arritur në 68 mijë. Së fundmi nga një material i botuar nga "Washington Post", komandanti suprem i trupave të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, gjenerali Stanley McChrystal, paralajmëroi për rrezikun e dështimit të misionit atje. Kjo rezulton nga raporti i tij i fundit konfidencial për Pentagonin ndërsa kërkon urgjentisht më shumë ushtarë për luftën kundër talebanëve radikalë islamikë, për të rifituar terren gjatë 12 muajve të ardhshëm. Veç kësaj, sipas tij duhet zbatuar një strategji e re e Perëndimit, përballë korrupsionit në radhët e qeverisë afgane dhe mosbesimit të popullsisë, ndaj trupës paqeruajtëse ISAF. Vlerësimet e komandantit suprem të trupave në Afganistan, i janë dorëzuar ministrit të Mbrojtjes të SHBA-së Robert Gates, në fund të muajit gusht dhe po shqyrtohen aktualisht në Shtëpinë e Bardhë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›