E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Politikë e re me Amerikën Latine

Presidenti Barak Obama do të përpiqet të krijojë një klimë të re bashkëpunimi me Amerikën Latine javës së ardhshme, por refuzimi amerikan për të ndryshuar qëndrim ndaj çështjeve të rëndësishme si Kuba dhe emigracioni mund të vënë në dyshim suksesin e këtyre përpjekjeve. Obama do të udhëtojë drejt Meksikës të mërkurën në vizitën e parë në rajon si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe më pas do të shkojë të premten në Trinidad dhe Tobago, ku do të marrë pjesë në Samitin e Pestë të Amerikave. Si në rastin e Samitit të G20-ës, grupi ku bëjnë pjesë ekonomitë më të mëdha botërore, Presidenti planifikon ta vërë theksin te bashkëpunimi me liderët rajonalë dhe përqendrimi te synimet e përbashkëta. "Me gjithë këto çështje të rëndësishme që na shqetësojnë sot, nuk e kemi luksin t‘i kujtojmë njëri-tjetrit të shkuarën", u shpreh të shtunën Obama gjatë fjalës së përjavshme në radio. Xhefri Davidou, këshilltari i posaçëm i Obamës për këtë samit, tha se janë shënuar përpjekje për vendosjen e toneve të reja që në konsultimet dhe kontaktet diplomatike që i kanë paraprirë samitit. Obama u takua me Presidentin meksikan, Felipe Kalderon, përpara se të hynte zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë dhe një numër i madh zyrtarësh të kabinetit të tij kanë vizituar gjatë kësaj kohe Amerikën Latine. "Duke parë se këto veprime janë bërë me kaq shpejtësi, besoj se më lind e drejta të them se bëhet fjalë për një fillim të ri", u shpreh Davidou.

Popullariteti, i pakrahasueshëm me atë të Xhorxh Bushit, ashtu si dhe qëndrimet në Samitin e grupimit G20, e bëjnë Obamën të shihet pozitivisht nga liderët e Amerikës Latine, thonë analistët, por gjithçka do të varet nga vullneti që do të tregojë për të dëgjuar zërat e të tjerëve. "E rëndësishme është ajo që ndodh një ditë më pas, sa do të dijë të dëgjojë e të mësojë", u shpreh në një intervistë Luis Alberto Moreno, president i Bankës së Zhvillimit Interamerikan. "Dhe në këtë kuadër, janë disa çështje që nuk mund të hiqen nga axhenda, siç është Kuba, apo problemet e emigracionit".

Këto çështje delikate, megjithëse të papërfshira në axhendën e samitit, me siguri do të bëhen temë e nxehtë debatesh. Pritet që Presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, ashtu si liderët e tjerë amerikano-latinë me prirje majtas, të kërkojnë ripërfshirjen e Kubës në Organizatën e Shteteve Amerikane. Pritet që debatet mbi Kubën të nxjerrin në pah më shumë se gjithçka tjetër mosmarrëveshjet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të rajonit. Uashingtoni ka bërë me dije se nuk ka ndër mend t‘i japë fund embargos 47-vjeçare ndaj ishullit komunist. Por Obama po kërkon të lehtësojë kufizimet për vizitat familjare si dhe në kuadrin e dërgimit të parave nëpër shtëpi për të gjithë kubanezët që banojnë në SHBA - veprime që shihen si të pamjaftueshme.

Për analistët, çështja që shqetëson më shumë liderët e vendeve të rajonit ka të bëjë me krizën globale. Si partneri kryesor tregtar i Amerikës Latine, SHBA është shumë i rëndësishëm për rajonin kur vjen fjala te problemet ekonomike. "Ringjallja e ekonomisë amerikane do të jetë faktori kyç gjatë samitit dhe të gjithë liderët e tjerë do të presin nga Presidenti Obama përshkrimin e masave që ka ndërmend të marrë në këtë kuadër", u shpreh Peter De Shazo, drejtor i programit për Amerikat në Qendrën e Studimeve Strategjike Ndërkombëtare. Moreno u shpreh se rritja prej 5 përqindësh kishte nxjerrë 40 milionë banorë të Amerikës Latine nga varfëria e skajshme, por se 1 për qind ulje e produktit të brendshëm bruto - i shkaktuar nga recesioni global - do t‘i kthente menjëherë 15 milionë prej tyre në errësirën e varfërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›