Obama: Ta fitojmë të ardhmen

Presidenti amerikan, Barack Obama, në fjalimin vjetor drejtuar kombit ka bërë thirrje që vendi të investojë më shumë në kërkime, arsim dhe në infrastrukturë, në mënyrë që ekonomia më e madhe e botës të jetë më konkurruese në treg.
Në fjalimin e tij para Kongresit, Obama tha se vendi përballet me momentin që lehtësisht mund të quhet "Sputnik", duke iu referuar garës së hapësirës me Bashkimin Sovjetik në vitet 50-ta.
Obama këmbënguli që Amerika të investojë më shumë në burimet alternative të energjisë, përfshi makinat elektrike dhe përdorimin e energjisë diellore për të shmangur varësinë nga karburantet.
Lidhur me politikën e jashtme, Obama theksoi se lufta në Irak është afër fundit, derisa do fillojë tërheqja amerikane nga Afganistani.
Siç është traditë, në fund të janarit të çdo viti, presidenti i Shteteve të Bashkuara mban fjalimin vjetor drejtuar kombit, ku paraqet strategjitë politike.
Presidenti amerikan theksoi se investimet e mëdha e kanë shndërruar Kinën në shtëpinë e kërkimeve më të mëdha në industrinë e ngrohjes diellore dhe në origjinën e kompjuterit më të shpejtë në botë.
“Ne duhet ta tejkalojmë pjesën tjetër të botës në arsim dhe në zbulimet shkencore. Ne duhet ta bëjmë Amerikën vendin më të mirë në tokë për të bërë biznes. Duhet të marrim përgjegjësi për deficitin tonë dhe të reformojmë qeverinë. Kështu njerëzit tanë do të përparojnë. Vetëm në këtë mënyrë do ta fitojmë të ardhmen”, tha Obama.
Politika e jashtme nuk ishte tema qendrore e fjalimit të Obamas.
Megjithatë, ai theksoi se përmbushja e qëllimeve në Afganistan dhe në Irak është në rrugën e duhur.
Në mesin e sukseseve në politikën e jashtme shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi dhe fillimin e ri në marrëdhëniet me Rusinë.