E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Vit i vështirë, por nuk do të dorëzohemi

Fjalimi përpara kombit

Presidenti amerikan ka folur për sfidat e vendit ku vendin kryesor e zuri ekonomia
“Nuk do dorëzohemi”, ka deklaruar Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, përpara anëtarëve të Kongresit dhe mbi të gjitha përpara dhjetëra miliona telespektatorëve që ndiqnin direkt fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e kombit. Obama u tregua më se këmbëngulës për të vendosur papunësinë në qendër të përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë, për mosbraktisjen e miliona amerikanëve që nuk kanë një mbulim shëndetësor dhe për forcimin e mëtejshëm të presidencës së tij. “U zgjodha për të ndryshuar gjërat dhe në këtë moment, shumë qytetarë nuk dinë nëse akoma mund të kenë besim në reformat që ne ndërmarrim, apo nëse jemi në gjendje t’i realizojmë. Ka qenë një vit i vështirë, ku administrata jonë ka hasur shumë vështirësi. Disa prej tyre, edhe të merituara. Por ne nuk do të dorëzohemi. Unë nuk do të dorëzohem. Duhet të presim momentin e duhur, për të rifilluar dhe për të çuar përpara ëndrrën tonë. Mbi të gjitha, për të forcuar vendin akoma më shumë”, tha ai. Një vit më parë, menjëherë pas marrjes së detyrës, Obama kishte mbajtur një fjalim solemn në Kongres, por shumë ndryshe nga ai i mbajtur mbi gjendjen e kombit, që bazohet në një traditë të vjetër të politikës amerikane. është një takim që përmbledh në sallën më të madhe të “Capitol Hill” deputetë e senatorë, ministra dhe gjyqtarë, gjeneralë të Pentagonit dhe diplomatë të huaj. Ai e nisi fjalimin e tij menjëherë pasi gruaja, Michelle, u ul në rreshtin e të ftuarve, e rrethuar nga “dëshmitarë” të mesazhit të Obamës: ish të papunë tani të punësuar falë masave të stimulimit ekonomik, emigrantë të transformuar në sipërmarrës, apo ushtarë të kthyer nga fronti i luftës. Fjalimi ishte shumë i gjatë. Ai zgjati rreth një orë e nëntë minuta. Me një oratori të përkryer dhe duke folur me zemër, më shumë se me mendje, Obama kujtoi momentet e vështira të krizës më të llahtarshme ekonomike që vetëm prej pak kohësh po tregon shenja përmirësimi. Sipas tij, ishte kjo krizë që la pa punë, pa shtëpi, pa para dhe shpesh edhe pa shpresa, rreth 2 milionë amerikanë. Në fakt, prej kohësh, në vend shifra e të papunëve është ndalur në dhjetë për qind, një shifër që nuk ishte regjistruar që prej vitit 1983. Ai tha se punësimi do të jetë prioriteti kryesor mbi të cilën do të fokusohet administrata e tij për vitin 2010. Presidenti propozoi që bizneseve të vogla dhe të mesme t’u ulen taksat në mënyrë graduale, që të punësojnë sa më shumë të papunë. Në fjalim ai i bëri ftesë Kongresit për të aprovuar një ligj të dytë për stimulimin ekonomik që parashikon investime në infrastrukturë dhe energjinë e gjelbër, një angazhim për rinovimin dhe promovimin e eksportit. Në recetën e tij për një ekonomi më të shëndoshë, Obama tha se do të bazohej në katër pika kryesore: reformën financiare, ndryshimet, sidomos në energjinë e gjelbër, më shumë eksporte (dyfishimi i tyre brenda pesë viteve) dhe më shumë investime në edukim. Në frontin financiar Obama kërkoi një reformë serioze dhe propozon të përdoren rreth 30 miliardë dollarë nga fondet e kthyera në Wall Street për të ndihmuar bankat e vogla t’u japin kredi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme “motori i vërtetë i rritjes së punësimit në vend”. “E di që në Wall Street kjo ide nuk u pëlqen aspak, por institutet që mund të lejojnë shpërndarjen e bonuseve të majme sërish, mund t’ia lejojnë vetes të paguajnë edhe një taksë modeste. Nuk jam i interesuar të ndëshkoj bankat, por të mbroj ekonominë tonë”. Për sa i përket reformës në shëndetësi, që rrezikon kalimin e saj në Kongres, tani që demokratët kanë humbur mazhorancën në Senat, Obama e pranon se ka bërë gabime. Por në një apel drejtuar Kongresit, ai kërkon ta përfundojë këtë nismë të ndërmarrë duke lënë mënjanë divergjencat: “Kur të mbaroj fjalimin tim, do të kenë humbur sigurimin shëndetësor dhe shumë të tjerë do e humbasin këtë vit. Unë nuk kam ndërmend t’i braktis këta amerikanë dhe këtë nuk duhet ta bëjnë as të pranishmit në këtë sallë”. Presidenti i ftoi të gjithë të shihnin problemin me qetësi dhe të jepnin sugjerimet e tyre: “Ajo që i kërkoj Kongresit, është që të mos i kthejë shpinën kësaj reforme. Të paktën jo tani që jemi drejt përfundimit. Le të gjejmë së bashku një mënyrë për ta përfunduar atë në të mirë të popullit amerikan”. Kjo thirrje u prit me duartrokitje të mëdha edhe nga republikanët. Në fund, Obama i kërkoi Kongresit edhe aprovimin e ligjit të bllokuar në Senat mbi klimën. Ai foli edhe për gjendjen në Afganistan dhe situatën kaotike në Haiti, ku Amerika dhe vendet e tjera pa mundohen të rindërtojnë vendin e pashpresë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›