Modernizohet administrata, aplikim online për çertifikata

Prishtinë, 29 janar, NOA / Nga Hajdin Islami -
Projekti i përbashkët i ministrisë së Administratës Publike dhe ministrisë së
Punëve të Brendshme Sistemi i Menaxhimit të dokumenteve të Gjendjes Civile,
është promovuar dje në kryeqytetin kosovar. Sipas një njoftimi të zyrës për
informim pranë Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës, thuhet se
me realizimin e këtij projekti do të lehtësohen procedurat për të aplikuar për
dokumente të Gjendjes Civile nga ana e qytetarëve dhe në anën tjetër,
administratës i krijohen mundësi që të jetë shumë më efikase dhe më efektive në
këtë aspekt.
Me praninë e ministrit të MAP-së, Arsim
Bajrami dhe ministrit të MPB-së, Zenun Pajaziti, zyrtarëve të të dy
ministrive dhe medieve të shumta është bërë edhe demonstrimi i aplikimit nga
ana e qytetarit dhe puna e zyrtarit në zyrën e gjendjes civile, duke ofruar
para të pranishmëve në mënyrë të drejtpërdrejtë çertifikatën e parë për të
cilën është aplikuar në mënyrë elektronike.
Përmes këtij sistemi, të gjithë qytetarët e
Republikës së Kosovës do të kenë mundësi që përmes internetit, duke shfrytëzuar
e-Portalin shtetëror të vendit tonë, nga çdo pikë e Kosovës apo çdo pikë e
botës, të aplikojnë për çertifikata të ndryshme për të cilat kanë nevojë në
Gjendjen Civile.
Ky projekt është zhvilluar në kuadër të
Strategjisë së e-Qeverisjes 2009-2015 dhe Planit të Veprimit për implementimin
e kësaj Strategjie, dy dokumente të cilat janë miratuar nga ana e qeverisë së
Kosovës. Bartës i realizimit të projektit ka qenë Departamenti i Qeverisjes dhe
Proceseve Administrative në MAP, në bashkëpunim me departamentin përkatës të
Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ky Sistem fillimisht ka qenë i ndërtuar si Uindoës
Aplikacion, por gjatë vitit 2009 është avancuar në Ueb Aplikacion, i cili bën të
mundur aplikimin online për çertifikata të ndryshme të gjendjes civile.
NOA