I lumtur në Las Vegas

Të jesh pjesë e Cirque du Soleil nuk është punë aq e lehtë. Sidomos për një shqiptar është mjaft e vështirë të depërtojë nëpër skenat e teatrove botërore. Për Halil Gashin nga Prishtina kjo nuk ka qenë edhe aq e vështirë. Që nga prilli i vitit 2009 ai është bërë pjesë e teatrit të njohur Cirque du Soleil në Las Vegas të SHBA-ve. Për të arritur deri në Las Vegas, Gashi ka konkurruar në Cirque du Soleil që në vitin 2005 kur edhe është pranuar, mirëpo në atë kohë, siç tregon ai, nuk ka pasur vend për të në ndonjë shfaqje.
Prej prillit, kur është inkuadruar në Cirque du Soleil, atij së pari i është dashur të kalojë disa javë në ushtrime, ndërsa prej muajit qershor Gashi ka filluar të performojë në një ‘sole act’. Ai thotë se të performosh i vetëm nuk është edhe aq e lehtë.
“Kur janë njëzet apo tridhjetë veta në skenë ti nuk di kënd ta shikosh më përpara. Ndërsa kur jam vetëm si valltar të gjithë më shikojnë mua. Për këtë duhet të jem i përgatitur 100 përqind”, tregon Gashi, i cili performon në shfaqjen “Love – Beatles”, e cila jepet në Casino Mirage.
Dihet se Las Vegas është një qytet turistik, ku mblidhen njerëz nga vende të ndryshme të botës për të parë bukuritë e këtij qyteti, por edhe për të provuar fatin në ndonjërën prej kazinove të shumta. Gashi tregon se puna e madhe që e bënë dhe përgatitja e duhur nuk i japin shumë mundësi për të shkuar nëpër ndeja të ndryshme apo për të kaluar kohën duke e provuar fatin në bixhoz. “Pesë ditë në javë punojmë, prej të enjtes deri të hënën, ndërsa të martën dhe të mërkurën e kemi pushim. Varet se çfarë pozicioni ki aty. Është vështirë. Duhet me qenë gjithmonë i përgatitur. S’mund të dalësh gjithë natën e të nesërmen të shkosh aty i lodhur. Mund të ndodh një herë por jo çdo ditë. Gjithmonë kemi ushtrime”, tregon ai për Express. Gashi tregon se në Cirque du Soleil ka njerëz që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në sallën e stërvitjeve janë të vendosur flamujt e kombeve prej nga vijnë aktorët dhe valltarët. Pasi që ai e ka edhe nacionalitetin gjerman, i kanë kërkuar ta vë flamurin gjerman, mirëpo, ai nuk ka pranuar një gjë të tillë. “Ata më thoshin ta vë flamurin gjerman pasi e kam nënshtetësinë gjermane, por unë u thash atyre se e kam nacionalitetin gjerman por babën e nënën i kam shqiptarë dhe kur ta vë flamurin gjerman aty ata do të më thonë ‘çfarë kë bërë kështu?’ Tashti aty në mesin e flamujve të tjerë të botës është edhe flamuri i Kosovës”, shprehet Gashi.
I larguar nga Kosova që në vitin 1992, Gashi vendoset në Gjermani ku fillon të merret me vallëzim modern, hip-hop, break dance, street dance, dance theatre etj.
Ai ka vallëzuar pranë këngëtarëve të ndryshëm si për shembull këngëtarja e njohur Kylie Minogue në një paraqitje në MTV Music Awards, pastaj ka pasur bashkëpunim të mirë edhe me këngëtarë dhe grupe të tjera, midis të cilëve edhe Black Eyed Peas, Sugarhill Gang dhe Run DMC.
Gashi e kishte formuar në Gjermani grupin e tij Stylissimo dhe Kaos Crew, ndërsa me kompaninë Jonzi D Productions ka zhvilluar disa turne nëpër Angli.
Përpos suksesit si valltar, Gashi është paraqitur edhe nëpër reklama televizive të kompanive të mëdha si Lewis, Puma, Adidas. Po ashtu, ai në vitin 2001 ka bërë edhe koreografinë për të reklamuar daljen e valutës së re në Europë, Euro, e cila është shfaqur në MTV.
Në Cirque du Soleil Gashi thotë se ka fituar një përvojë të re. Aty ai ka arritur të takohet edhe me njerëz të famshëm, si për shembull aktorë të Hollywoodit, apo këngëtarë të njohur, por edhe futbollistë siç është braziliani Ronaldinjo, futbollisti i tij i adhuruar, prej të cilit e ka marrë një fanellë me një autograf në të.