E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama dhe Medvedev takohen më 24 qershor

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama do takohet me homologun e tij rus, Dimitri Medvedev në Washington, më 24 qershor.

Shtëpia e Bardhë tha se gjatë këtij takimi do të diskutohet bashkëpunimin dypalësh në “fushat e tregtisë, investimeve dhe shpikjeve”.

Më herët u raportua se Medvedev gjithashtu do të vizitojë edhe Luginën e Silikonit në Kaliforni, gjatë vizitës në SHBA që fillon më 22 qershor.

Në ndërkohë, zyrtarët amerikanë njoftuan se Obama do të zhvillojë një bisede telefonike edhe me kryeministrin e Britanisë, David Cameron, në lidhje me katastrofën e naftës në Gjirin e Meksikës dhe gjigantin britanik të naftës British Petroleum (BP).

Të premten, Cameron doli në mbrojtje të kompanisë BP, duke thënë se është në interesin e Britanisë dhe të SHBA-së që BP të mbetet kompani financiarisht e fuqishme dhe stabile, përkundër problemeve që ka me derdhjen e naftës.

Zëdhënësi i Cameronit tha se kryeministri është gjithashtu i frustruar për dëmin që i shkaktoi mjedisit derdhja e naftës.

BP është zotuar se do ta riparojë dëmin e shkaktuar dhe momentalisht po përpiqet që të ndalë rrjedhën e naftës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›