Obama do dhurojë Nobelin për Paqe për bamirësi
Presidenti amerikan, Barak Obama, planifikon ta dhurojë çmimin Nobel për Paqe, me një vlerë prej 1.4 milion dollarësh, për organizatat humanitare që ndihmojnë studentët, që ndihmojnë për familjet e veteranëve, për të mbijetuarit e tërmetit në Haiti, por edhe për të tjerë. Sipas njoftimeve më të fundit, presidenti Obama, mësohet të ketë theksuar se është krenar në mbështetjen e punës së tyre". Në mesin e atyre që do të marrin ndihma, është edhe Instituti i Azisë Qendrore, të cilit do t'i jepen 100 mijë dollarë, si ndihmë në promovimin e arsimit për vajza në Pakistan dhe Afganistan. Presidenti Barack Obama u nderua me çmimn Nobel për Paqe në dhjetor të vitit të kaluar, për përpjekjet e tij për forcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve. Pasi mësoi për marrjen e çmimit, vetë presidenti u shpreh i habitur dhe i surprizuar nga kjo ngjarje. Përvec urimeve të ndërkombëtarëve, asokohe pati edhe reagime sipas së cilave Obama nuk e meritonte këtë çmim. Obama e fitoi këtë çmim vetëm 11 muaj pasi u zgjodh si zyrtari më i lartë i vendit të tij. Ai ishte fituesi i tretë që e merrte këtë nderim si president i SHBA-së.